Presidenti Thaçi ka thënë se tema që mori vëmendje të madhe së fundmi ka të bëjë me Gjykatën Speciale.
“Bashkësia ndërkombëtare e ka imponuar themelimin e saj. Institucionet tona e kanë pranuar një gjë të tillë sepse në të kundërtën, ne do të ishim të pafuqishëm të parandalonim themelimin e një gjykate tjetër ndërkombëtare, nën ombrellën e OKB-së. E votuam në atë kohë për të ruajtur partneritetin me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n.
Unë mendoj se Gjykata Speciale nuk do të mund të arrijë të bëjë atë që e proklamon, të forcojë ndjenjën e drejtësisë për viktimat e luftës. Sikur të kishte drejtësi të tillë çfarë trumbetohet nga faktori ndërkombëtar, 100 gjykata speciale të këtilla do të duhej të bëheshin vetëm për krimet që Serbia e Millosheviqit i ka bërë në shtetet e Ballkanit dhe këtu në Kosovë”, ka thënë ai.
Ndërsa, sipas presidentit Thaçi, paradoksi me të cilin ne ballafaqohemi është dëshpërues.
“E njëjta Serbi sot e ka derën e hapur për në BE, ndërsa Kosova mbahet e izoluar. Kosova dhe të gjithë ne e duam drejtësinë, por nuk pranojmë të diskriminohemi e poshtërohemi në emër të saj, vetëm e vetëm për të kënaqur ata që nuk e durojnë dot ekzistencën dhe suksesin e shtetit tonë”, ka thënë Thaçi. /Telegrafi/