Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke uruar 9 majin, Ditën e Evropës, i ka bërë thirrje Bashkimit evropian për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.
Në një status në llogarinë e tij në Facebook, Thaçi ka shkruar se ky diskriminim dhe ky trajtim i pabarabartë po komprometon edhe vetë vlerat e Bashkimit Evropian.
“Dita e Evropës, 9 maji, është datë kur u bë hapi i parë drejt krijimit të Bashkimit Evropian. Një thirrje për bashkimin e prodhimeve nga kryediplomati francez më 9 maj 1950, kishte bërë që të niste projekti i madh i krijimit të familjes evropiane, e cila u zhvillua nëpër vite.
Në këtë ditë të veçantë për Bashkimin Evropian, ne bëjmë thirrje për liberalizimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe për qartësimin e perspektives evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kosovarët janë më evropianë se shumë popuj që janë pjesë e familjes evropiane.
Kemi përmbushur kritere që tejkalojnë edhe standardet e shumë prej shteteve anëtare të BE-së, por ende po vazhdon diskriminimi i qytetarëve tanë.
Ky diskriminim dhe ky trajtim i pabarabartë po komprometon edhe vetë vlerat e Bashkimit Evropian, mbi të cilat e ka ndërtuar bashkëpunimin me vendet jo anëtare në rajonin tonë. Bashkimi Evropian duhet t’i japë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar në Facebook, Hashim Thaçi./Telegrafi/