Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka reaguar lidhur me deklaratat rreth Demarkacionit me Malin e Zi.
Thaçi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se “Zhurmëkotët e zakonshëm, të cilët për më shumë se dy vjet shkaktojnë konfuzion, jo më larg se dje, iu rikthyen zanatit të tyre. Ata përsëri arritën që me lehtësi, duke mos argumentuar asnjë pretendim amatoresk të zbuluar nga ta, të manipulojnë mediat dhe nëpërmjet tyre opinionin publik”.
Më tej Thaçi, theksoi se nuk mund të mbetemi peng të tekave të askujt dhe kauzave të rrejshme, të cilat jo vetëm që na mbajnë të izoluar, por rrezikojnë të prishin marrëdhëniet shtetërore me Malin e Zi.
Kujtojmë se dje, kryetari i Komisionit për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi deklaroi se kanë mbledhur prova të mjaftueshme që dëshmojnë se Kosova ka humbur territor me versionin aktual të Demarkacionit.
Postimi i plotë i Thaçit:
Zhurmëkotët e zakonshëm, të cilët për më shumë se dy vjet shkaktojnë konfuzion, jo më larg se dje, iu rikthyen zanatit të tyre. Ata përsëri arritën që me lehtësi, duke mos argumentuar asnjë pretendim amatoresk të zbuluar nga ta, të manipulojnë mediat dhe nëpërmjet tyre opinionin publik.
Kështu, këta individë e ushqejnë sagën e tyre me trillime, të cilat plasohen tek opinion publik, i cili, si gjithmonë e pëson më së shumti jo vetëm për shkak se vazhdojnë të dëgjojnë të njëjtën zhurmë, por edhe sepse mungesa e përgjegjësisë shtetërore për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, vazhdon t’i mbajë qytetarët dhe shtetin e Kosovës të izoluar.
Ndërsa, në rast se institucionet tona shtetërore do të vazhdojnë të mbetën peng të trillimeve individuale apo qoftë edhe të një grupi politik të caktuar, atëherë sigurisht që pasojat për shtetin tonë mund të jenë edhe më të rënda.
Prandaj, është koha që institucionet tona shtetërore të tejkalojnë këtë situatë duke u sjellë në mënyrë të përgjegjshme. Nuk mund të vazhdohet në pafundësi që individë të caktuar, shtetin ta trajtojnë si pronë private. Institucionet e Republikës së Kosovës, të zgjedhura nga qytetarët e Kosovës, duhet të marrin vendim për këtë çështje në përputhje me obligimet dhe proceduarat, pa u ndikuar nga individë të caktuar.
Nuk mund të mbetemi peng të tekave të askujt dhe kauzave të rrejshme, të cilat jo vetëm që na mbajnë të izoluar, por rrezikojnë të prishin marrëdhëniet shtetërore me Malin e Zi, por mbi të gjitha, rrezikojnë të prishin bashkëpunimin dhe besimin që ka Kosova me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në. HTH ./Telegrafi/