Site icon Telegrafi

Thaçi nga kazerma “Adem Jashari”: Kosovë, urime ushtria!

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka inspektuar pjesëtarët e FSK-së në kazermën “Adem Jashari”, një ditë para se kjo forcë të shndërrohet në ushtri.

Thaçi ka thënë se këto festa të fundvitit këtë vit janë më të veçanta për të gjithë ne.

“Jam i lumtur që sot në prag të festave të fundvitit të jem me ju. E di që edhe për juve si ushtarë të Republikës së Kosovës, për ne dhe për shtetin tonë kësaj radhe festat e fundvitit janë më të veçanta. E di që ju ushtarë të nderuar këtë vit po e përjetoni më ndryshe dhe me emocione, kanë mbetur vetëm edhe disa orë deri tek vendimi i shumëpritur…. Ju, me mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Republikë për kohë të gjatë keni punuar për themelimin e ushtrisë tonë”, ka thënë Thaçi.

Ai ka theksuar se Ushtria e Kosovës do të jetë e gatshme që ti shërbejë kultivimit të paqes në vend, rajon dhe kudo në botë.

“Është meritë e juaja, e çdo qytetari të Kosovës, prandaj sot çdo qytetar i vendit duhet të ndihet krenar. Jam në mesin tuaj që t’ju falënderoj në emër të qytetarëve dhe institucioneve. Kosovë urime ushtria…”, u shpreh Thaçi.

Presidenti theksoi se nga ky muaj këta djem dhe vajza do të kenë mandat të ri, mision të ri si Ushtria e Kosovës.

“Do të shërbeni dhe do të mbroni me dinjitet e krenari pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Zhvillimi i ushtrisë së Kosovës është i veçantë dhe i ndryshëm nga ushtritë e shumë shteteve të tjera. Populli ynë e krijoi ushtrinë para se të fitojë lirinë, pavarësinë dhe shtetin. Ushtria e Kosovës do jetë ushtri multietnike,dhe sot , nesër dhe përgjithmonë i tërë populli i Kosovës shikon nga ju”, tha Thaçi.

Ai ka thënë se ky ishte një proces me hapa të gjatë dhe të mundimshëm, por gjithmonë i orientuar drejt arritjes së një qëllimi të qartë, në dobi të të gjithë qytetarëve të vendit tonë.

“Pesë vite më parë, gjatë procesit të rishikimit të sektorit të sigurisë, me të drejtë u arrit në përfundim se FSK-ja është e gatshme për rol dhe mision të ri. Për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, ju gjithmonë keni qenë de fakto, ushtarë dhe FSK–ja, ushtria e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fund të fjalimit të tij ka thënë se të gjitha forcat politike në vend janë unike që të nxjerrët vendimi i merituar, që FSK-ja edhe me ligj të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, të transformohet në ushtri profesionale.

“Deputetët e Parlamentit të Kosovës, në mënyrë solemne do të marrin vendimin për këtë proces. Forca e Sigurisë e Kosovës është zhvilluar në një forcë profesionale, e përgatitur sipas standardeve të NATO-s, me përbërje shumetnike dhe me përfaqësim meritor gjinor. Përfshirja e çdo komuniteti në Forcën e Sigurisë të Kosovës e dërgon mesazhin më të mirë të mundshëm. Tregon vlerat dhe parimet e shoqërisë sonë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se si Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës,  kjo forcë është dhe do të mbetet krenaria jonë. /Telegrafi/

Exit mobile version