Telegrafi

Thaçi në SHBA, nderon vëllezërit Bytyqi

Presidenti, Hashim Thaçi ka nderuar vëllezërit Bytyqi gjatë një vizite te varrezat e tyre në Yonkers të Nju Jorkut, së bashku me prindërit e heronjve të kombit, Yllit, Agronit dhe Mehmetit, me bashkëluftëtarë të tyre dhe me pjesëtarë të komunitetit shqiptar në SHBA.

“Para varrit të tyre, si president i Republikës së Kosovës, shpreha nderimet më të thella në emër të popullit dhe institucioneve të shtetit të Kosovës, për sakrificën që ka bërë familja Bytyqi për Kosovën”, shkruan Thaçi në Facebook.

“U mbusha me ndjenjat më të thella të respektit, nderimit, por edhe dhimbjes në vizitën që bëra te varrezat e vëllezërve Bytyqi në Yonkers të Nju Jorkut, së bashku me prindërit e heronjve të kombit, Yllit, Agronit dhe Mehmetit, me bashkëluftëtarë të tyre dhe me pjesëtarë të komunitetit shqiptar në SHBA”, shton kreu i vendit.

Thaçi është takuar edhe me bashkëluftëtarë nga Batalioni i Atlantikut, së bashku me komandantin e tyre Gani Shehu, në vendin prej ku ata janë nisur për të ardhur dhe për të luftuar për Kosovën.