Presidenti Hashim Thaçi, gjatë vizitës së tij në Nju Jork ka takuar edhe shoqatën shqiptare ‘Vatra’.
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka treguar se pati një bashkëbisedim miqësor me kryetarin e saj, Elmi Berisha dhe anëtarët e saj.
“Në Nju Jork të SHBA-së isha në selinë e Vatrës, shoqatës më të vjetër shqiptare, ku u prita nga kryetari i ri i saj, Elmi Berisha, dhe nga anëtarët e kësaj shoqate.
Pata një bashkëbisedim të përzemërt, miqësor e të hapur me bashkëkombësit. Liria dhe pavarësia e Kosovës, të arriturat e Kosovës, të tërë shqiptarëve janë të lidhura ngushtë me punën e vyeshme, me guximin dhe me sakrificën e diasporës shqiptare”, tha Thaçi.
Shoqatën ‘Vatra’, e ka vizituar edhe kongresmeni Eliot Engel, një përkrahës i gjatë, i çështjes shqiptare veçanërisht i pavarësisë së Kosovës.
“Unë gjithmonë kam thënë që Kosova do të jetë një komb i lirë dhe i pavarur, me gjithë zërat skeptik për këtë. Ju gjithmonë do të keni mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Engel. /Telegrafi/