Site icon Telegrafi

Thaçi: Momentum i jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se pas arritjes së marrëveshjes historike për normalizim ekonomik, më 4 shtator në Uashington, është krijuar momentum i jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi, përmes një postimi në Facebook, pas takimit të sotëm në Bruksel me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se “Jam mirënjohës për rolin udhëheqës dhe të pazëvendësueshëm të SHBA-së në këtë proces. Roli i SHBA-së mbetet vendimtar edhe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për normalizim dhe njohje reciproke”.

“Në këtë aspekt, ne gjithashtu i çmojmë përpjekjet e të ngarkuarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për arritjen e marrëveshjes finale”, ka shkruar Thaçi, transmeton Telegrafi.

Duke folur për takimin e sotëm me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se “në një takim në Bruksel, nga z. Lajçak u informova për qëllimin e lehtësuesit që procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me një marrëveshje finale, që nënkupton njohje reciproke. Prandaj, kërkohet që të gjitha palët e përfshira në këtë proces të punojnë bashkarisht për arritjen e marrëveshjes përfundimtare të paqes”.

Më herët Thaçi, pas takimit me Lajçakun, përmes një postimi në Twitter, tha se dialogu “nuk ka alternativë” dhe se “Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje përfundimtare”.

“Ne kemi nevojë për BE-në dhe BE-ja për neve. Duhet të veprojmë. Lajçak e ka mbështetjen time në këtë proces”, shkroi Thaçi në Twitter, pas takimit që zhvilloi të hënën në Bruksel.

Lajçak është emëruar përfaqësues i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, në fillim të prillit.

Paraprakisht, Thaçi ka deklaruar se “misioni i tij është i paracaktuar të dështojë”, për shkak të angazhimit të Lajçakut, ish-ministër i Jashtëm sllovak, “për ta ndaluar Sllovakinë që ta njohë Kosovën”.

Në muajin qershor, Thaçi dhe Lajçak janë takuar në Prishtinë.

“Pozicioni i Kosovës, sa i përket dialogut me Serbinë, është që ai të përmbyllet me njohje reciproke”, kishte thënë Thaçi. /Telegrafi/

 

Exit mobile version