Site icon Telegrafi

Thaçi: Kuvendi t’ia ndalojë kryeministrit Hoti të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës  

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi përmes një deklarate për media ka ripërsëritur se hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës.

Në këtë deklaratë të Zyrës së Presidentit thuhet se Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit dhe po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror.

Lexo po ashtu Hoti: Nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive, po punojmë në draftimin e marrëveshjes për njohje reciproke me Serbinë

Lexoni të plotë deklaratën nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës:

Hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës. Është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, e cila i parapriu shpalljes së pavarësisë, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit në prillin të vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Prandaj, askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudoqoftë. Kosova nuk mund dhe me asnjë çmim asnjëherë nuk do të lejojë që brenda territorit të saj të krijohet një entitet politik, i cili do të ishte riprodhim i Republikës Serbe në territorin e Kosovës.

Diskutimi për Asociacionin nesër në Bruksel është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. Ndërsa, diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tonë.

Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror. /Telegrafi/

Exit mobile version