Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka hapur kufirin me Serbinë ndërsa po e mbyllë kufirin Kosovë-Shqipëri.
Thaçi ka pohuar se “Kurti sot ka keqpërdorur Policinë e Kosovës duke urdhëruar ata që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës, përpos vonesave procedurale, të dërgohen shtatë ditë në karantinë për të pritur testimin për COVID-19”, transmeton Telegrafi.
“Albin Kurti derisa ka hapur krahë më krah kufirin me Serbinë, për të hyrë kushdo, pa asnjë procedurë si në bahçe të babës, ai nga zyra e uzurpuar sot ka urdhëruar dhe keqpërdorur Policinë e Kosovës. Ai padrejtësisht dhe kundërligjshëm sot ka urdhëruar policinë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës, përpos vonesave procedurale, të dërgohen shtatë ditë në karantinë për të pritur testimin për COVID-19. Po ashtu, me veprime shtesë, ai ka urdhëruar që automjetet transportuese që hyjnë nga territori i Shqipërisë në emër të dezinfektimit të ngarkohen me taksë të veçantë, duke rënduar edhe më shumë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e mallrave”, ka shkruar presidenti në Facebook.
Thaçi ka thënë se veprimet e Kurtit janë shqelmat e tij të fundit nga zyra siç ka thënë ai e uzurpuar.
“Ky është absurditet! Hapet me Serbinë dhe e mbyllë Kosovën nga Shqipëria. I heq taksën Serbisë dhe ia vë Shqipërisë. Ky është predikuesi i bashkimit kombëtar! Në fakt, këto veprime janë shqelmat e fundit të Kurtit nga zyra e uzurpuar”./Telegrafi/