Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me shqetësim i ka lexuar konkluzionet zhgënjyese të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian.
Këtë deklaratë Thaçi e bëri të ditur në një postim të tij në rrjetin social Facebook, ku ka shkruar se shihen qartë turbulencat e brendshme që e kanë turbulluar vizionin e BE-së, e cila sipas tij, nuk po arrin të tejkalojë instinktin proteksionist dhe neglizhencës ndaj tërë rajonit, e posaçërisht Kosovës.
Ai ka thënë se Kosova nuk është fajtore për problemet e brendshme të BE-së, dhe as që paraqesim asnjë rrezik për BE-në.
“Prandaj, ne nuk do të mund të cilësohemi si fajtorë për zvogëlimin e rolit të BE-së në rajon dhe në Kosovë për shkak të dështimeve të vazhdueshme të saj. Përderisa shtete fqinje, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë pritur lajme substanciale në rrugën e tyre për anëtarësim në BE, ne kemi pritur diçka krejt minimale. Ne kemi pritur vetëm një reflektim pozitiv sa i përket fundit të izolimit të padrejtë të popullit të Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Presidenti tutje tha se fatkeqësisht, BE-ja është duke e trajtuar Kosovën ndryshe krahasuar me vendet e tjera, dhe kjo padrejtësi siç tha ai, nuk kalon pa u vërejtur.
“Por, nuk kalon pa u vërejtur as mungesa e një përkushtimi konstruktiv i institucioneve tona shtetërore për koordinimin e veprimeve strategjike në interes të vendit. Unë ftoj liderët institucionalë dhe ata të partive politike parlamentare që të reflektojnë për situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi ynë në raport me realizimin e perspektivës tonë për anëtarësim në BE dhe NATO”, u shpreh ai.
Izolimi dhe stagnimi, siç tha Thaçi duhet të marrin fund.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës e meritojnë zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, ka shkruar ndër të tjera në Facebook, presidenti Hashim Thaçi. /Telegrafi/