Telegrafi

Thaçi ia dorëzon flamurin shtetëror Albin Tahirit, shpreson në përfaqësim dinjitoz të Kosovës në Olimpiadë (Video)

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi të hënën ia ka dorëzuar flamurin Albin Tahirit, i cili do të përfaqësojë Kosovën në Lojërat Dimërore PyeongChang 2018.

Kosova për herë të parë do të jetë pjesë e një nga ngjarjet më të mëdha në botën e sportit.

I pari i vendit tonë, sot ka pritur në takim delegacionin që do të udhëtojë për Korenë e Jugut, atje ku nga 9 shkurti e deri më 15 shkurt, sportistët më të mirë në planet do të tregojnë shkathtësitë e tyrë në disiplina të ndryshme në PyeongChang2018.

Presidenti Thaçi e vlerësoi moment të veçantë dhe historik pjesëmarrjen e Kosovës në PyeongChang2018. Ai është i bindur se skitari Albin Tahiri do të përfaqësojë denjësisht vendin tonë.

“Është sot një moment i veçantë i Kosovës, sepse pres delegacionin, sportistët, kryetarin, të cilët marrin pjesë në garat olimpike dimërore për herë të parë në historinë e Kosovës. Edhe për mua si president i shtetit, për vendin dhe shoqërinë kosovare, është lajm edhe për gjithë botën pjesëmarrja e Kosovës për herë të parë në garat olimpike dimërore. Shpresoj se nuk do të jetë lajm vetëm pjesëmarrja, por do të kemi lajm të fuqishëm edhe fitimin e ndonjë medalje. Kemi besim të plotë në përkushtimin të aktiviteteve dhe talentin e Albinit, i cili do të na bën të ndihemi krenar të gjithëve si Majlinda dhe tash Albini, kështu që të gjithë jemi të përkushtuar dhe mbështetje të fuqishme për Albinin dhe suksesin e tij”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se ky është një moment i veçantë, sepse sipas Thaçit, e tërë kjo histori po ndodhe në 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, në 20 vjetorin e betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prekaz dhe në 19 vjetorin e lirisë së Kosovës.

Ndërkaq, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani pas falënderoi kreun e shtetit për mikpritje, tha se dorëzimi i flamurit të Kosovës do të ndikojnë në ngritjen e motivit të Albin Tahirit në PyeongChang.

Sipas Hasanit, Albini nuk e kishte vënë asnjë herë në dyshim që të mbroj ngjyrat e shtetit të Kosovës.

Hasani shpreson se Thaçi do të jetë në PyeongChang, sepse sipas tij, pjesëmarrja e kreut të shtetit në Korenë e Jugut do të ishte një imazh i mirë për shtetin tonë.

“Dorëzimi i flamurit të ekipi olimpik jam i sigurt se do të ndikoj në ngritjen e motivacionit te Albinit, i cili është përgatitur jashtëzakonisht mirë dhe asnjë dilemë nuk e ka pasur që t’i mbroj ngjyrat e Kosovës dhe më këtë rast sinqerisht dua t’ju falënderoj për mbështetjen e përhershme për sportin, delegacionin, pjesëmarrjen tuaj në Rio dhe përpjekjeve tuaj për kundër agjendës së vështirë që të jeni në edhe në PyeongChang”.

“Padyshim se pjesëmarrja e juaj në PyeongChang do të rrisë jo vetëm motivacionin e Albinit, por të gjithë delegacionin që do të jemi atje dhe e di se jam shumë i sigurt se më këtë do të ngritët edhe imazhi i shtetit të Kosovës”, ka theksuar Hasani.

Ai është i bindur se skitari Albin Tahiri është i përgatitur maksimalisht për të përfaqësuar vendi tonë në mënyrën më të mirë të mundshme në PyeongChang2018. /KP/