Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj, shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe qytetarë, janë mbledhur në komunën e Pejës në një tubim përkujtimor për t’i nderuar 183 dëshmorët e kësaj zone, që humbën jetën gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Gjatë fjalimit të tij, Thaçi tha se është nder i madh për të gjithë që të respektojmë këtë ditë historike për kombin, Ditën e Dëshmorëve.
“Sot nderojmë dëshmorët e Pejës me rrethinë dhe gjithë dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Jam i bindur se shteti ynë është në rrugë të drejtë. Askush nuk është i përkryer por jemi duke e bërë punën në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha presidenti.
Thaçi po ashtu ka thënë se fjalët e kongresmenit Eliot Engel, në kongresin amerikan ishte shpresë për Kosovën për të kërkuar më shumë drejtësi për gjithë këto viktima.
“Kujtojmë sot edhe gjenocidin që shteti i Serbisë ka kryer në Kosovë duke vrarë rreth 13 mijë e 500 civilë, mbi 800 masakra e rreth 20 mijë dhunime. Fjalët e kongresmenit Eliot Engel, në Kongresin amerikan ishin shpresë për ne për të kërkuar më shumë drejtësi për gjithë këto viktima”, deklaroi Thaçi.