Site icon Telegrafi

Thaçi e dërgon në Kushtetuese vendimin e Qeverisë për kufizim të lëvizjes së qytetarëve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e djeshëm të Qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

“Ju informoj se duke marrë parasysh rrethanat e reja të krijuara pas vendimit të qeverisë, vendim antikushtetues si president duke respektuar kompetencat kushtetuese e ligjore kam vendosur ti drejtohem, Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Thaçi.

Thaçi shtoi se kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të marrë një masë të përkohshme pasi që situata është emergjente.

Presidenti ka shtuar se tash nuk është koha për agjenda politike, por për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve dhe ruajte të Kushtetutës dhe ligjshmërisë së vendit.

“Vendimi i mbrëmshëm i Qeverisë ka provokuar rrethanë të re të paqartësisë dhe frikës. Jemi dëshmitar që sot njerëzit nga ky konfuzion janë detyruar të dalin dhe të furnizohen vetëm në mëngjes duke krijuar tollovi dhe në kundërshtim me rekomandimet e IKSHPK-së. Është rrezik që ka krijuar qeveria, është rrezik për shpërthim të virusit”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka shtuar se i është drejtuar me një letër edhe kryeministri Albin Kurti ku ka kërkuar nga ai që ta pezullojë këtë vendim.

“I jam drejtuar me një letër kryeministrit Kurti që të rishqyrtojë këtë vendim dhe ta pezullojë atë vendim deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Thaçi.

Presidenti shtoi se askush nuk qëndron mbi Kushtetutën dhe askush nuk ka të drejtë të shkelë atë dhe ligjet për asnjë agjendë politike.

Thaçi bëri thirrje për unitet, dhe respektim të rekomandimeve të dala nga IKSHPK-ja. /Telegrafi/

Exit mobile version