Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dorëzuar sot kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, projektligjin për FSK-në.
Projektligji për FSK-në ka për qëllim ndryshimin e misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Pas dorëzimit të projektligjit, presidenti Thaçi ka thënë se projektligjin në fjalë e ka iniciuar duke u mbështetur në Kushtetutën e Kosovës, ligji për Presidentin.
“Kjo iniciativë ligjore për avancimin e rolit dhe detyrat e FSK-së është e domosdoshme në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe kontribuon në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, projektligji rregullon misionin funksional dhe detyrat e FSK-së, organizimin e saj dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me FSK-në.
“Jemi përpjekur që transformimi të ndodhte me ndryshime të nevojshme kushtetuese. Një gjë të tillë nuk kemi arritur ta bëjmë, sepse deputetët serbë e kanë bërë të qartë se kurrë nuk do të votonin këto ndryshime. Kjo është për keqardhje. Kjo origjinën e ka në Serbi”, ka thënë ndër tjerash Hashim Thaçi.
Ndërkaq kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se kjo është një ditë e mirë për Kosovën.
“Ditë e mirë për Kosovën për të gjithë qytetarët, ditë e mirë edhe për Kuvendin e Kosovës”, ka theksuar kryekuvendari.
“Presidenti ka proceduar projektligjin për FSK-në. Ditën e nesërme do të ftoj Kryesinë e Kuvendit që të procedojmë në obligimet që i kemi ndaj qytetarëve dhe vendit tonë. Kosova ka nevojë për formësimin e identitetit të vet shtetëror. Kjo ju ka dashur Kosovës dhe partnerëve tanë. FSK do të jetë partner i sigurt për NATO-n dhe për të gjitha etnitetet”, ka thënë Veseli. /Telegrafi/
————————————————————————–
Thaçi i dorëzon Veselit projektligjin për ushtrinë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i dorëzoi sot kryetarit të Kuvendit projektligjin për FSK-në.
Dorëzimi i këtij projetktligji u bë sot në zyrën e kryetarit ë Kuvendit, Kadri Veseli.
Projektligji për FSK-në ka për qëllim ndryshimin e misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. /Telegrafi/