Një ditë pasi Forcës së Sigurisë i janë dhënë kompetencat e ushtrisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë homazhe pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti, në Prishtinë.
Me këtë rast, Thaçi tha se dita e parë e funksionimit të ushtrisë duhet të nisë duke i nderuar ata që dhanë jetën për liri.
“Puna më e mbarë sot në këtë ditë të parë është nderimi dhe respekti i bashkëluftëtarëve, i luftëtarëve të lirisë, komandantit prej të parëve të UÇK-së, Zahir Pajazitit. Jam këtu së bashku me bashkëluftëtarin dhe komandantin Rrustem Mustafa-Remi, deputetin, për të nderuar dhe respektuar dhe për të dëshmuar edhe njëherë përkushtimin tonë se lufta dhe përpjekjet e dëshmorëve të lirisë, amaneti i tyre për objektivin e lirisë, pavarësisë, sovranitetit dhe ushtrisë, po jetësohet”, ka thënë Thaçi.
Pas shtatores së Zahir Pajazitit, Thaçi ka bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova dhe veprimtarit kombëtar Adem Demaçi, në varrezat në Velani. /Telegrafi/