Telegrafi

Thaçi dekoron me urdhrin “Hero i Kosovës”, 21 pjesëtaret e Policisë së Kosovës që humbën jetën në krye të detyrës

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka kujtuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës të cilët kanë rëndë në detyrë që nga fillimi i krijimit të Policisë si institucion.

Presidenti ka vendosur që t’i dekoroj me urdhrin “Hero i Kosovës”, 21 pjesëtarët e Policisë të cilët humbën jetën në krye të detyrës.

Thaçi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se sot policia jonë është shembull për tërë rajonin dhe më gjerë.

“Ajo është forca, siguria dhe nderi i qytetarëve dhe i shtetit tonë”, ka shkruar Thaçi.

Postimi i plotë:

#PoliciaeKosoves #Krenari

Shumë pak muaj pas çlirimit të vendit, së bashku me udhëheqjen e ekspertizës perëndimore, nisëm nga zeroja ndërtimin e Shërbimit Policor të Kosovës. Krijuam policinë e parë në Kosovë, sipas standardeve dhe kritereve demokratike. Një institucion shumetnik, me përfaqësim meritor edhe gjinor!

Sot, policia jonë, është shembull për tërë rajonin dhe më gjerë. Ajo është forca, siguria dhe nderi i qytetarëve dhe i shtetit tonë. Çdo ditë është në krye të detyrës, në shërbim të qytetarëve, të sigurisë dhe në mbrojtje të atdheut.

Në krye të detyrës, 21 policë kanë dhënë më të shtrenjtën e tyre, jetën. Ata janë heronjtë e pasluftës dhe për kontributin e tyre kam vendosur t’i dekoroj me urdhrin “Hero i Kosovës”. /Telegrafi/