Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi sot është takuar me Shefen e Misionit Mbikëqyrës të OSBE-ODIHR, Tana de Zulueta ku është biseduar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, thuhet në njoftimin dërguar Telegrafit në Maqedoni.
”Partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje duhet të tregojnë vullnet politik dhe respektimit të normave dhe standardeve ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, duke theksuar se në qoftë se përsëriten parregullsitë e zgjedhjeve të kaluara siç janë vjedhja e votave dhe falsifikimi i rezultateve, atëherë këto zgjedhje do të jenë të pavlefshme për Partinë Demokratike Shqiptare, andaj në këtë drejtim kërkoi përkrahjen e faktorit ndërkombëtarë që të garantohen zgjedhje të lira, demokratike dhe të besueshme. Frikësimet, kërcënimet dhe shantazhet ndaj qytetarëve vazhdojnë të ngelin shqetësim kryesor për PDSH-në, si dhe partizimi dhe politizimi i skajshëm i institucioneve. Partia Demokratike Shqiptare në asnjë mënyrë nuk mund të toleroje frikësimin e qytetarëve, aq më pak kur kjo bëhet për qëllime politike” – theksoi Thaçi.
De Zulueta mori shënime për deklaratat e Thaçit në lidhje me zgjedhjet dhe potencoi se OSBE-ODIHR do të vazhdojë të jetë vëzhgues i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për të pastruar çdo paqartësi./Telegrafi/