Site icon Telegrafi

Thaçi atë që nuk e bëri si kryeministër, premton se do ta bëjë tash si ministër

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Hashim Thaçi në një postim në faqen e tij në Facebook ka premtuar se do të bëjë përpjekje që të krijojë sa më shumë lehtësira të udhëtimit të biznesmenëve dhe qarkullimit ndërkombëtar të mallrave dhe kapitaleve kosovare.

“Gjatë takimit që pata me biznesmenë kosovarë në Shqipëri u tregova se do përpiqem të ndërtoj një partneritet të mirëfilltë me sipërmarrësit privatë në mënyrë që misionet tona diplomatike të shndërrohen njëherazi në institucione të marketingut të ekonomisë kosovare dhe të produkteve Made in Kosova”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ai ka thënë se do të angazhohet edhe për krijimin e sa më shumë lehtësirave të udhëtimit të biznesmenëve dhe të qarkullimit ndërkombëtar të mallrave dhe kapitaleve kosovare.

“Prej ambasadave tona do të ndërmerren veprimtari të shumëfishta në vendet pritëse për të përmirësuar imazhin dhe kredibilitetin jo vetëm për Kosovën si shtet por dhe për produktet e eksporteve të Kosovës si dhe për Kosovën si destinacion investimesh dhe turistësh”, ka shkruar Thaçi. /Telegrafi/

Exit mobile version