Telegrafi

Tha se do të shënonte 40 gola nëse do luante çdo javë kundër Stones, Tom Pope shënon ndaj Cityt dhe bëhet viral në internet

Tom Pope ka mbajtur premtimin e tij për të shënuar kundër John Stones pasi sulmuesi veteran ka gjetur rrjetën në takimin e Kupës FA ndaj Manchester City.

34-vjeçari e kishte cilësuar anglezin John Stones si lojtar të dobët pas një ndeshje për Anglinë, me anë të një ‘cicërime’ në Twitter verën e kaluar.

Pope kishte shkuar edhe më larg duke thënë se do të shënontë 40 gola në sezon nëse do të luante çdo javë ndaj mbrojtësit të Cityt.

Postimi i Tom Pope gjatë verës

Postimi i tij në atë kohë u bë viral, por edhe tani ka gjetur përkrahje të madhe në rrjetet sociale.

Sulmuesi veteran ka mbajtur premtimin e tij pasi ka shënuar gol pikërisht në ndeshjen ndaj Manchester Cityt në duel me Stones.

Sulmuesi i Port Vale u gjend mirë në zonë duke shënuar me kokë për 1-1, por ky gol nuk i mjaftoi ekipit të tij pasi u mposhten 4-1 në kuadër të Kupës FA.

Pas golit të shënuar ndaj Cityt, emri i Pope u bë përsëri viral në rrjetet sociale, pasi shumë postime janë duke iu kushtuar atij.

/Telegrafi/