Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka pezulluar për një kohë të pacaktuar ministrin e Trashëgimisë, Amihai Eliyahu nga mbledhjet e kabinetit, njoftoi zyra e kryeministrit.
Eliyahu tha se një sulm bërthamor në Gaza është “një nga opsionet” për Izraelin, duke e nxitur kryeministrin izraelit të dal me një reagim, për të bërë të ditur se distancohet nga komentet e tij dhe se nuk do ta bëjnë një gjë të tillë, transmeton Telegrafi.
“Fjalët e Amihai Eliyahut dhe realiteti nuk janë të njëjta. Izraeli dhe ushtria izraelite po veprojnë në përputhje me standardet më të larta të ligjit ndërkombëtar, për të parandaluar dëmtimin e njerëzve që nuk janë të përfshirë në konflikt dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë deri në fitore”, tha Netanyahu.
Ndryshe, përveç pretendimit të përmendur, në një intervistë për Radio Kol Berama, Eliyahu ka kundërshtuar lejimin e çfarëdo ndihme humanitare në Gaza, duke thënë se “nuk do t’ua dorëzojmë ndihmën humanitare nazistëve”.
Ai tha gjithashtu se veriu i Rripit të Gazës “nuk ka të drejtë të ekzistojë”, duke shtuar se kushdo që valëvit flamurin palestinez apo të Hamasit nuk duhet të vazhdojë të jetojë. /Telegrafi/