Telegrafi

Tha se ishte rrëmbyer nga një “komunitet shpirtëror” kur ishte me pushime në Spanjë, djaloshi britanik i zhdukur që nga viti 2017 gjendet në Francë

Një djalë 17-vjeçar britanik, i cili u zhduk në vitin 2017, është gjetur në Francë dhe do të kthehet së shpejti në shtëpinë e tij, sipas autoriteteve franceze.

Alex Batty, nga Oldham, nuk u kthye më që nga pushimet në Spanjë me nënën dhe gjyshin e tij kur ishte 11 vjeç, shkruajnë mediat britanike, përcjell Telegrafi.

Ai u gjet, pasi kaloi gjashtë vjet i humbur, në qytetin Revel, pranë qytetit jugor të Toulouse, herët në mëngjesin e së mërkurës.

Prokurorët francezë thonë se identiteti i tij është konfirmuar nga familja e tij.

Ndërkohë, një student i mjekësisë tha për mediat franceze se e kishte parë Alexin duke ecur natën në shi të dendur dhe i kishte ofruar ta dërgonte në vendin për ku ai ishte nisur.

Pasi i dha fillimisht një emër të rremë, Alex i tregoi historinë e tij dhe tha se kishte ecur në male për më shumë se katër ditë në përpjekje për t’u kthyer në Angli.

Duke folur për Le Depeche, ai rrëfeu: “Ai [Alex] ishte mjaft i gjatë, biond. I veshur me xhinse të zeza, një bluzë të bardhë dhe një çantë shpine”.

“Minutat e para dukej pak i turpshëm, u përpoqëm të flisnim në frëngjisht, por vura re se ai nuk e zotëronte gjuhën”.

“Vendosa të komunikoja në anglisht. Kur e pyeta se si quhej, ai bëri sikur quhej Zac dhe më pas vazhduam të bisedonim”.

“Ne folëm për më shumë se tri orë. Shumë shpejt, ai më dha identitetin e tij të vërtetë, Alex Batty, përpara se të më shpjegonte historinë e tij”.

Sipas Le Depeche, Alex i tha studentit se ai ishte rrëmbyer dhe kishte jetuar në një shtëpi luksoze në Spanjë me rreth 10 persona si pjesë e një “komuniteti shpirtëror”, përpara se të mbërrinte në Francë rreth vitit 2021.

Ndërkohë një zëdhënës i Zyrës së Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar (FCDO) tha: “Ne po mbështesim një shtetas britanik në Francë dhe jemi në kontakt me autoritetet lokale”. /Telegrafi/