Telegrafi

Tevez flet për dallimet mes Ronaldos dhe Messit

Carlos Tevez ka luajtur dy sezone mjaft të bukura me fanellën e Juventusin, duke fituar dy tituj kampioni në Serie A.

Ai fitoi zemrat e tifozëve bardhezi, që tani janë kthyer kah Cristiano Ronaldo.

Sulmuesi argjentinas ka folur për diferencën mes Ronaldos dhe Lionel Messit, duke nxjerrë në pah përparësitë e tyre, pasi ai ka luajtur me të dy.

“Nuk e kam parë kurrë Messin në palestër apo të bëjë ushtrime teknike. Ajo që bën ai është gjithçka natyrale”.

“Sigurisht që në goditjet e 11-metërshave është stërvitur. Tani i dërgon të gjitha në qoshe”.

Shumë më i ndryshëm është karakteri i Cristiano Ronaldos, sipas tij.

“Ronaldo, nga ana tjetër, shkon gjithnjë në palestër pas stërvitjes. Ai e ka fiksim të jetë më i miri në gjithçka”.

“Mbërrin gjithmonë para kohe në stërvitje. Kur stërvitja ishte lënë në orën 9 të mëngjesit, unë mbërrija në 8 dhe e gjeja aty, sepse kishte ardhur që në 7:30”.

“Pyesja veten: si mund t’ia hedh këtij tipi? Një ditë shkova në 6, por prapë e gjeta aty”, tregon Tevez. /Telegrafi/