Sot (e shtunë) është mbajtur konventa e dhjetë e Partisë Demokratike të Kosovës.
Në mungesë të ish-kryetarit të saj, Kadri Veseli, i cili e ka lënë detyrën në momentin që është thirrur nga Gjykata Speciale, sot është emëruar kryetari i ri.
Nga votat e delegatëve, kryetar i ri i PDK-së u zgjodh Memli Krasniqi, i njohur dikur për publikun e gjerë si një nga reperët e e hit-grupit të dikurshëm, Ritmi i Rrugës.
Zgjedhja e tij kryetar të kësaj partie, ka gëzuar mbarë familjen e tij, të cilët janë ndjerë krenar për të arriturat e tij.
Motra e Memli, aktorja e mirënjohur Teuta Krasniqi, e ndoqi me shumë emocione zgjedhjen e vëllait të saj si kryetar të ri të PDK-së, gjersa publikoi një video nga ky moment në InstaStory.
“Krenare përgjithmonë me ty”, shkroi ajo në mbishkrimin e kësaj videoje, duke treguar kështu mbështetjen e saj si motër në rrugëtimin e ri të vëllait si lider i kësaj partie.
Memli përndryshe ndër vite është shquar si një ndër emrat më përfaqësues të PDK-së, dhe ka marrë besimin e qytetarëve për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës për disa legjislatura rresht. /Telegrafi/