Edhe pse nga kompania shtetërore “Resurset energjetike të Maqedonisë” paralajmëruan se gazsjellësi kryesor deri në Tetovë dhe Gostivar do të ndërtohet deri në fund të vitit 2019-të respektivisht fillimin e vitit 2020, në terren ende asgjë konkrete. Komunat e qyteteve në fjalë, ende janë në fazat fillestare të hartimit të studimeve të fisibilitetit, edhe pse sipas planit, ata tanimë duhej të kishin filluar ndërtimin e rrjetit shpërndarës të gazsjellësit nëpër qytete. Në qytetin e Tetovës, janë planifikuar rreth 25 kilometra rrjet për ta mbuluar gjithë qytetin, thotë Arsim Nuredini, por projekti ende është në fazën studimore. Nga komuna e Tetovës, madje nuk precizojnë as vitin se kur pritet të fillojnë punimet për rrjetin e gazsjellësit të qytetit.
“Komuna e Tetovës është në përfundim të projektit ideor për 25 kilometër gazifikim në gjithë territorin që mbulon komuna jonë, e më tej do të shqyrtojmë në hollësi mundësinë se si do të realizohet në mënyrë më të suksesshme projekti me partneritet publiko-privat apo do të jetë me koncesion, mirëpo për gjithë këtë do të mbajmë edhe debat publik..”, theksoi Arsim Nuredini, përgjegjës në sektorin për veprimtari publike
A ka ndonjë datë apo vit konkretisht kur do filloj realizimi?
“Me përfundimin e projektit ideor, fillon projekti sekondar apo final, dhe me pranimin e projektit final do bëhen furnizimet publike”, deklaroi Arsim Nuredini. Përgjegjës në sektorin për veprimtari publike
Në të njëjtën fazë është edhe komuna e Gostivarit respektivisht atë të hartimit të studimit të fizibilitetit.
“Komuna e Gostivarit për vitin 2019 për procesin e gazifikimit në buxhet ka ndarë 4.000.000 denarë. Me këto mjete me furnizim publik është kontraktuar kompani e cila obligohet te përpilojë studimin e fizibilitetit dhe projektin ideor. Pas përfundimit te projektit ideor, do të pasojë përpilimi i projektit themelor dhe procesi i gjetjes se mënyrave për implementim”.
Edhe komuna e Tetovës por edhe ajo e Gostivarit, ende nuk kanë të formuar madje as ndërmarrjen komunale për menaxhimin me gazsjellësin, ndërkohë në Maqedoni, për momentin gaz natyror përdorin Strumica, Kumanova dhe Shkupi. Në kryeqendër ky energjens është i kapshëm për disa kapacitete industriale dhe objekte të caktuara publike, por jo edhe për amvisëri./Alsat/