Janë bërë 8 vjet që nga vrasja e Donjeta Pajazitajt. Por vrasja e saj, mbetet pa autorë, ndërkohë familjarë të saj, kanë thënë se u janë zbehur shpresat se do të ketë epilog përfundimtar ky rast, megjithëse janë në pritje të përgjigjes nga Gjykata Kushtetuese.
Në Bjeshkët e Strellcit të komunës së Deçanit dyshohet se qëndroi për rreth 6 javë trupi i Donjeta Pajazitajt, gjatë vitit 2015.
Pas 6 javësh, trupi i 24 vjeçares së vrarë ishte gjetur.
Tetë vjet më vonë, ende nuk dihet se si kishte ndodhur rasti, dhe më e rëndësishmja, kush ishte autori i vrasjes.
Familja e Donjeta Pajazitajt, thotë se ndonëse është zbehur shpresa se ky rast do marr epilog, shtojnë se janë duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas vëllait të saj këto vite kanë qenë shumë të vështira për të, e sidomos për prindërit e Donjetës.
“Po shpresoj që ka me pas drejtësi, edhe pse shpresat dhe besimi në drejtësinë e Kosovës, nga ne si familje është i humbur. Kemi dërguar ankesë në Gjykatën Kushtetuese, po shpresojmë që kjo gjykatë ka me vlerësuar në mënyrë sa më të drejtë, faktet dhe provat e mbledhura nga prokuroria dhe hetuesit, shpresa është shumë e vogël”, tha për RTV Dukagjinin Shkelqim Pajazitaj – vëllai i Donjeta Pajazitajt.
Për vrasjen e Donjetës, për më shumë se 7 vite qëndroi në burg, e 3 herë u dënua me burgim të përjetshëm kushëriri i saj Naser Pajazitaj, për t’u liruar së fundmi nga Gjykata Supreme në mungesë provash.
Mbrojtja e tij, përmendin vështirësitë që do të ketë prokuroria në zbulimin e autorëve të vërtetë, duke përmendur këtu kohën e kaluar nga vrasja, derisa thonë se presin drejtësi për rastin.
“Presim që të ketë drejtësi, është punë e organeve të drejtësisë, përkatësisht prokurorisë që të zhvillojë hetimet lidhur me këtë rast dhe e kam thënë edhe më herët dhe e ripërsërisë prap që për ne si mbrojtje lirimi i Naserit nuk është i plotë përderisa vrasësit e vërtetë të Donjetës të gjinden dhe të vihen para drejtësisë…Kanë humbur kohë dhe pistat e tjera dhe provat e tjera kanë mundur që të zhduken të vjetërsohen, të asgjësohen dhe e kam thënë që prokuroria ka humbur kohë për 7 vite e gjysmë”, tha Ahmet Tahiri – avokat i Naser Pajazitajt.
Nga Prokuroria Themelore e Pejës, e cila është duke e hetuar këtë rast, nuk janë përgjigjur për këtë.
Bazuar në aktakuzën, e Prokurorisë së Kosovës, thuhej se më 9 nëntor të 2015 derisa Donjeta 24-vjeçare po shkonte atë ditë në punë, e njëjta ishte marrë dhe ishte dërguar tek vendi i quajtur “Kroi i lajthisë” në bjeshkët e Strellcit, ku ishte vrarë me dy plumba në kokë, për t’u gjetur trupi i saj gati gjashtë javë më vonë.