Site icon Telegrafi

Testi i opozitës së përçarë

Protesta e 14 majit e paralajmëruar nga dy partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën”, pa mbështetjen e “Vetëvendosjes” po shihet si test i tyre jo vetëm përballë pushtetit, por edhe vetë opozitës.

Kjo protestë që nuk po përkrahet as nga Lëvizja “Vetëvendosje”, sipas analistëve politikë po shihet si kyç në mbrojtjen e kauzave për Asociacionin dhe Demarkacionin, që kanë ngritur opozita e bashkuar, e cila u nda pas disa mosmarrëveshjeve muaj më parë.

Por, sipas përfaqësuesve të dy partive organizatore të protestës, AAK-së dhe “Nismës për Kosovën”, protesta do të jetë masive sepse, siç thonë ata, ka interesim të qytetarëve për të vazhduar kundërshtimin, jo vetëm për dy marrëveshjet, atë për Asociacionin dhe Demarkacionin me Malin e Zi, por edhe për tema tjera, siç janë: korrupsioni, krimi i organizuar, papunësia, etj.

Sekretari i “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi, është shprehur i bindur për gazetën “Zëri” se protesta e së shtunës do të jetë masive.

Ai thotë se degët dhe nëndegët e “Nismës për Kosovën” janë mobilizuar për protestën, e cila do të mbahet më 14 maj, bashkë me AAK-në.

Exit mobile version