Telegrafi

As Tesla, Nissan e as VW – Renault ka shitur më së shumti vetura elektrike në Evropë këtë vit

Prodhuesi francez i veturave Renault, është pronar i modelit më të kërkuar i veturës elektrike të vitit 2020.

Renault ka zënë vendin e parë në tregun evropian sa i përket veturave elektrike, ku në përgjithësi ka shitur 95.985 deri në fund të nëntorit, transmeton Telegrafi.

Përveç kësaj, Renault Zoe vazhdon të jetë vetura elektrike më e shitur në Evropë. Këtë vit janë porositur mbi 84 mijë njësi, gati dyfish më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

Zoe është vetura më e shitur elektrike në tregjet siç është Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Portugalia.

Që nga prezantimi në Evropë, janë shituar mbi 268 mijë njësi. E Renault ka edhe një adut shtesë kur bëhet fjalë për veturat elektrike.

Kangoo Z.E. është vetura tjetër më e shitur elektrike që u prezantua në vitin 2010. E këtë vit – përkatësisht deri në fund të nëntorit janë regjistruar 8.498 njësi të shitura të saj.

Që nga prezantimi në Evropë, modeli Kangoo Z.E. është porositur nga më shumë se 57.595 klientë. E së fundmi Renault u ka ofruar blerëve edhe një veturë tjetër elektrike – Twingo Electric.

Ky model debutoi në fund të shkurtit 2020 dhe deri më tani janë shituat 1.760 vetura. /Telegrafi/