Site icon Telegrafi

Terrorizmi dhe krimet e rënda, SPAK do të “filtrojë” udhëtarët që hyjnë e dalin nga Shqipëria

Struktura e Posaçme, SPAK, pritet të jetë një nga institucionet që do të mund të përpunojë të dhënat e pasagjerëve që hyjnë apo dalin nga Shqipëria përmes transportit ajror dhe detar.

Përfshirja e SPAK në listën e institucioneve kompetente të këtij lloji është propozuar nga Ministria e Brendshme në një ligj “për mbledhjen, përpunimin, transmetimin, ruajtjen, fshirjen, mbrojtjen dhe garantimin e të dhënave të informacionit të pasagjerit në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas draftit ligjor që është në fazën e konsultimit me ekspertët, përpunimin e të dhënave të pasagjerëve, me qëllim parandalimin, zbulimin, hetimin e ndjekjen penale të veprave të rënda, apo që kanë lidhje me “terrorizmin”, do të mund ta bëjnë 8 institucione, mes të cilave edhe Gjykatat e Posaçme dhe Shërbimi Informativ Shtetëror.

Projektligji synon të përqendrojë tek një autoritet të vetëm në Policinë e Shtetit, Sektori i Inteligjencës së Pasagjerit, marrjen grumbullimin dhe përdorimin e të dhënave të pasagjerit.

Drafti parashikon që çdo e dhënë e pasagjerit, ato paraprake dhe të rezervimit, përfshi informacionin mbi detajet e biletës, bagazhet, adresat, kontaktet telefonike, e deri tek kodet e konfirmimit të rezervimit do të transmetohen nga kompanitë e transportit te ky sektor.

Për këtë janë parashikuar edhe afate kohore, të lidhura ngushtë me orën e planifikuar të nisjes së fluturimit a lundrimit, apo të çastit kur kanë përfunduar procedurat e imbarkimit dhe është e pamundur që pasagjerët të hyjnë ose të dalin. Sipas projektligjit, Sektori i Inteligjencës së Pasagjerit, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale kryen transferim ndërkombëtar të të dhënave me vendet anëtare të BE-së, me Interpol dhe Europol, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit operacional dhe me vendet jo anëtare të BE-së kur vlerësohet e nevojshme.

Referuar relacionit të draftit të firmosur nga Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, objektiv i tij është përshtatshmëria me standardet ligjore të Bashkimit Europian./A2 CNN

Exit mobile version