Telegrafi

Terrori i ri në luftën e Gazës: Nekropolitika apo epoka e imoralitetit të përgjithshëm

Pamje nga Kampi Xhebalia në Gazë, 27 korrik 2024 (foto: Anadolu/Getty Images)

Burimi: The Guardian (Titulli: A new terror has entered the Gaza war: that it is ushering in an age of total immorality)
Përkthimi: Telegrafi.com

Të mërkurën, Benjamin Netanyahu ka marrë ovacione të zjarrta, pas fjalimit të tij në Kongresin amerikan. Ishte ky momenti i cili dukej se do të hapte një fazë të re të luftës në Gaza – një fazë në të cilën ajo jo vetëm tolerohet si domosdoshmëri fatkeqe, por që shihet si diçka për të cilën mbështetja e padiskutueshme do të vazhdojë pa fund, pa vija të kuqe dhe pa pikë turpi. Fshirja e pamëshirshme prej faqes së dheut e familjeve, shtëpive, kulturës dhe infrastrukturës nga ana e Izraelit – pa një përfundim apo një tregues se kur njëra nga këto do të përmbush qëllimet e tij – tashmë është bërë pjesë e jetës.

Në të njëjtën kohë, pretendentja e supozuar demokrate, Kamala Harris, bën thirrje të pakuptimtë se “nuk mund ta lejojmë veten të jemi të mpirë” ndaj asaj që po ndodh dhe se ajo “nuk do të hesht”, kur e vetmja gjë që ka rëndësi është se ShBA-ja vazhdon të armatos dhe financojë Izraelin.

E gjithë kjo paraqet shpërbërje jo vetëm të së drejtës ndërkombëtare, por të ligjit themelor njerëzor. Nga shkeljet që përmbysin jetën e përditshme, vdekja me vrasje – siç është pretenduar – është ndoshta krimi më i keq, më poshtërues. Shenjtëria e jetës njerëzore, nocioni se nuk mund të ndërpritet pa justifikimin më të lartë, është ajo që na ndan nga barbaria. Dhe, kështu, derisa nëntë muajt e fundit janë shpalosur me çdo episod historik të vrasjeve, ka pasur shumë momente kur ti ke menduar: Me siguri kjo duhet të marrë fund?

Kur fëmijët e parë të përhimët u nxorën nga rrënojat. Kur civilët e paarmatosur u kapën në kamerë duke u bërë shënjestër e raketave të komanduara. Kur vdiq pesëvjeçarja Hind Rajab duke pritur për ndihmë në mesin e të afërmve të saj të vdekur dhe kur u vranë punonjësit e ambulancës të cilët u dërguan për ta ndihmuar. Kur punëtorët e World Street Kitchen u goditën nga raketat precize. Kur një burrë me sindromën daun u sulmua nga një qen i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në shtëpinë vet dhe më pas u la të vdiste pasi ushtarët e dëbuan familjen e tij dhe i penguan ata të ktheheshin. Por, lufta nuk u ndal.

Natyrisht, ka pasur përpjekje për të ruajtur dhe zbatuar rregullat e brishta të së drejtës ndërkombëtare dhe humanitare. Dhe, përsëri, ti ke shpresuar se me ardhjen e gjykimeve, ato do të sillnin fundin e sulmit. Kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) deklaroi se palestinezët kishin ashiqare të drejtë për t’u mbrojtur nga gjenocidi dhe kur i kërkoi Izraelit të ndalonte ofensivën e tij në Rafah. Kur Gjykata Penale Ndërkombëtare (GjPN) bëri kërkesë për urdhërarrest për Netanyahun. Dhe, kur GjND-ja tha se Izraeli është përgjegjës për aparteidin.

Në këto përpjekje, atyre iu bashkuan miliona protestues në mbarë botën, veprimet e të cilëve tronditën politikën e tyre të brendshme në mënyrën që bënte me dije se situata nuk ishte e qëndrueshme. Por, lufta e gjeti sërish vendin e vet, duke u strehuar brenda status quo-së. Çështja e Gazës u shfaq përmes politikës sonë të kufizuar dhe duke u ndërthur me pakënaqësitë e veta. Krijoi vota proteste të cilat ndihmuan në dërgimin e një numri rekord të të pavarurve në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar dhe shfaqi shqetësimet elektorale për politikanët e establishmentit. Kampuset universitare në ShBA u bënë dëshmitarë të skenave historike të protestave dhe reagimit të ashpër policor.

Edhe pse ajo që ka ndodhur është ndryshim historik në opinionin publik global mbi Izraelin, ende ka pak rëndësi për ata në Gazë të cilët as që janë të vetëdijshëm për atë që po ndodh teksa i shmangin bombat, kërkojnë ushqim dhe gërmojnë për të vdekurit e tyre. Gjithçka që erdhi nga kjo ishte sfida dhe armiqësia më e madhe nga Izraeli, dënimi i gjykimeve ligjore nga aleatët dhe poshtërimi dhe shkarkimi i një numri të madh të njerëzve të cilët thjesht duan që vrasja të ndalet. E gjithë kjo duket se të thotë: Po, kjo është bota në të cilën tani jetojmë. Mësohu me të.

Si duhet të mësohesh me të? Duket si pranim se ka grupe të caktuara të njerëzve të cilët mund të vriten. Se është, në fakt, e arsyeshme dhe e nevojshme që ata të vdesin për ta mbajtur gjallë një sistem politik të ndërtuar mbi pabarazinë e jetës njerëzore. Kjo është ajo që filozofi Achille Mbembe e quan “nekropolitikë” – ushtrimi i pushtetit për të diktuar se si jetojnë disa njerëz dhe se si duhet të vdesin të tjerët.

Nekropolitika krijon “botët e vdekjes” ku ka “forma të reja dhe unike të ekzistencës shoqërore në të cilat popullatat e shumta u nënshtrohen kushteve të jetesës të cilat ua japin atyre statusin e të vdekurve të gjallë”. Në botët e vdekjes, vrasja e të tjerëve dhe shkatërrimi i habitatit të tyre nëpërmjet aftësive epike ushtarake, ndikimi i të cilave nuk është përjetuar kurrë nga qytetarët e vendeve përgjegjëse, i japin edhe më shumë vlerë humanizmit të atyre në Perëndimin e “civilizuar”. Ata përjashtohen sepse janë të mirë, jo sepse janë të fortë. Palestinezët vdesin sepse janë të këqij, jo sepse janë të dobët.

Rënia e vlerës e jetës palestineze përfshin ndarjen e jetës sonë nga jeta e tyre, ndarjen e botës ligjore dhe morale në dysh – në njërën në të cilën ne ekzistojmë dhe meritojmë lirinë nga uria, frika dhe persekutimi, dhe në të dytën në të cilën të tjerët kanë demonstruar cilësinë që tregon se nuk e meritojnë të njëjtën gjë. Kjo është arsyeja se pse është e rëndësishme që mbrojtësit e luftës së Izraelit të pretendojnë se nuk ka të pafajshëm në Gazë, se Hamasi fshihet prapa tyre, se ata që ti i simpatizon do të ishin të parët që do të të persekutonin po do të ishe ti homoseksual apo grua. Ata nuk janë si ne. Sapo mëson të pushosh identifikimin me të tjerët në bazë të humanizmit të tyre, puna e nekropolitikës përfundon.

Rezultati është bota që ndihet sikur luhatet në mes të tranzicionit. Aty ku ngjarjet politike ecin përpara me shpejtësi, e kthejnë Gazën në normalitet. Imazhet dhe rrëfimet nga Gaza, së fundi të mjekëve amerikanë që për CBS News shfaqin fëmijët me plagët prej snajperi në kokë dhe në zemër, konkurrojnë me vëmendjen e thelluar në zgjedhjet në ShBA. Me meme, farsë dhe rrëmujë të parëndësishme të botës dixhitale. Gaza na vjen në montazhet me video të shkurta dhe me mbishkrimin: këshillohet kujdesi i shikuesit / Kamala është “kopilesh” / imazhe shqetësuese / detajet e recetës në titra / Rashida Tlaib mban tabelën “kriminel lufte”.

Cila botë lind pas kësaj? Lufta në Gazë është thjesht shumë e madhe, shumë e gjallë, shumë e pamëshirshme që normalizimi i saj i detyruar të ndodhë pa pasoja të padëshirueshme. Rezultati përfundimtar është i gjithë njerëzimi i degraduar; rezultati përfundimtar është bota në të cilën kur vjen thirrja për të ndihmuar njerëzit në nevojë, askush nuk do të jetë në gjendje të dëgjojë. /Telegrafi/