Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, duke folur për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, ka thënë se islami lufton çdo formë të dhunës.
Ai ka përmendur librin e shenjtë të fesë islame Kuranin, në të cilin ndalohet përdorimi i dhunës.
“Kurani është libër hyjnor i të madhit zot. Në Kuran në mënyrë decidive shkruhet se nuk ka dhunë në të. Nga kjo kuptojmë se islami lufton çdo formë të dhunës qoftë ajo fizike, psikologjike, verbale, materiale e të çfarëdo natyre. Islami por edhe Bashkësia Islame e Kosovës ka qenë dhe do të jetë kundër çdo dhune në veçanti asaj fizike që është e padrejtë të përdoret ndaj kujto qoftë”, është shprehur Tërnava në një konferencë për media.
Ai tutje ka thënë se BIK-u në vazhdimësi do të jetë kujdestare e shprehjes dhe fjalës së lirë.
“BIK-u respekton dhe nderon mendimin ndryshe me qëllim për të çuar përpara proceset tona në përgjithësi në Kosovën tonë. Ndaj, BIK-u dënon çdo akt të dhunës ndaj kujtdo qoftë, e në këtë rast edhe ndaj gazetarit në fjalë”, ka deklaruar Myftiu Tërnava.
Ndërsa, duke komentuar deklaratat e imamëve për simbolet kombëtare dhe flamurin, ai ka thënë se ato janë simbole identifikimi e kombëtare.
“Unë jam Myfti i Republikës dhe gjithherë bazohem edhe në librin tonë të shenjtë, në Kurani. Flamuri është një shenjtëri në fenë islame”.
“Flamuri ka qenë dhe mbetet simbol identifikimi i përkatësisë tonë kombëtare dhe duhet ngulitur thellë në zemrën dhe mendjen tonë. Ngase për flamurin tone, se në kontekstin me flamur kuptojmë vendin, kuptojmë ardhmërinë, është një pasqyrë në të cilën ne e shohim veten”, është shprehur mes tjerash Tërnava.
Gazetari Valon Syla ditë më parë është sulmuar fizikisht në Prishtinë. Lidhur me rastin, policia ka arritur t’i arrestojë tre persona të dyshuar.
Syla pretendon se sulmi mund të ketë lidhje me reagimet e tij rreth ‘Mulla Mercedesit’ dhe ngjarjeve në BIK. Ai i përshkruan tre të dyshuarit “në dukje islamik fanatik”.
Për rastin në fjalë ka pasur reagime të ashpra të shoqërisë civile, liderëve institucionalë e Bashkimit Evropian./Telegrafi/