Termokos ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për fillimin e parakohshëm të furnizimit me ngrohje.
Sipas njoftimit, bazuar në Rregulloren për kushtet e përgjithshme të furnizimit me energji të ZRRE-së, përkatësisht nenit 6 të saj, pikës 2 dhe 3, në raste si këto kur temperaturat e ajrit janë më të ulëta se 12 gradë Celsius, atëherë mund të fillojë furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje.
Pas nënshkrimit të aneks kontratës për furnizim me energji me KEK-un, NP “Termokos” ka filluar sot të marrë sasitë e para të energjisë.
Gradualisht energjia termike do të nisë të shpërndahet në rrjetin e ngrohjes, ndërsa efekti i saj pritet të vërehet nesër në orët e mëngjesit.
“Sado që ky është një furnizim i jashtëzakonshëm me ngrohje, dhe si rrjedhojë edhe fillim i parakohshëm i sezonit ngrohës 2020/2021, Termokosi shpreson për një sezon të mbarë dhe të suksesshëm ngrohës”, njofton Termokos, përcjell Telegrafi.