Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka kritikuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të cilin thotë se ende pa filluar detyrën e pretenduar të kryeministrit, bëri dy deklarata të gabuara.
Tërmkolli përmes një postimi në Facebook, thptë se Kurti gaboi kur “nga takimi me Kryeministrin e Shqipërisë z. Edi Rama, ai deklaroi se ‘Republika e Shqipërisë nuk është për shkëmbim territorial’ dhe së dyti se ‘mini shengeni’ ballkanik, Serbi-Shqipëri-Maqedonia e Veriut qenka veҁ një ide pa ndonjë efekt dhe jo një projekt serioz”.
“Albini, si kryetar i LVV mund të takohet me kë të dojë dhe të shpërfaqë gjithë idetë e qëndrimet e tij politike. Si pretendent kryeministër i Kosovës, në këtë rast por edhe në raste tjera secili zyrtarë i lartë shtetëror bartë përgjegjësi për politika shtetërore”, ka thënë Tërmkolli.
Postimi i plotë i Tërmkollit:
” “dur” Albin, “dur”
Ende pa filluar detyrën e pretenduar të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti bëri dy deklarata krejtësisht të gabuara. Nga takimi me Kryeministrin e Shqipërisë z. Edi Rama, ai deklaroi se “Republika e Shqipërisë nuk është për shkëmbim territorial “ dhe së dyti se “minishengeni” ballkanik, Serbi-Shqipëri-Maqedonia e Veriut qenka veҁ një ide pa ndonjë efekt dhe jo një projekt serioz.
Është e drejtë e secilit të takohet me kryeministrin e Shqipërisë apo me këdo qoftë por si kryeministër në ardhje i Kosovës, një takim mbi katër orësh, në terrin e natës, e denjë vetëm për majtistë anarkistë, në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë, si bartës i idesë dhe projektit për shkëmbim të territoreve mes Kosovës e Serbisë e që ishte arësye për një “distancë” bukur të gjatë mes tyre, është më tepër se shqetësues. Nuk e tha Edi Rama se është kundër shkëmbimeve territoriale mes Kosovës e Serbisë. Po të ishte se Edi Rama paska hequr dorë nga ky projekt, u dasht të dalin që të dy para medieve dhe ai vetë, Edi Rama, ta deklarojë këtë në mënyrë decidive. Por kjo nuk ndodhi. Albini e “fshehu’ qëndrimin e Ramës, madje e “shfajësoi” atë. Pse e bëri këtë, e di ai, por duhet t’ua shpjegojë edhe qytetarëve të Kosovës!
Nuk mund të quhet kjo kurthë e Edi Ramës për Albinin, sepse edhe ai dhe gjithë bota i ka të njohura qëndrimet dhe veprimet e Edi Ramës në raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Janë të njohura poashtu qëndrimet e Albin Kurtit. Ekziston një rrezik i madh në këtë mes, që Albini i joshur nga “ëndërrat” për bashkim kombëtar të pranojë ҁmimin më të lartë në dëm të Kosovës, ndarjen e saj edhe përtej ideve aktuale për “korrigjim” të kufijve. Me gjasë të gjithë “po harrojnë” se pretendimet e Serbisë shkojnë deri në Durrës.
Takimi me shtetasin rus, mikun e Putinit, aktorin francez, Gerard Depardieu, e bënë tablonë edhe më të plotë. Mund të jetë krejt rastësi!
Së dyti, është për tu habitur me ҁfarë lehtësie e kaloi Albini ҁështjen e “minishengenit” ballkanik e cila nuk është e ndarë nga ajo e shkëmbimit të territoreve dhe ndarjes së Kosovës. Përjashtimi i Kosovës dhe Malit të Zi në vend të përjashtimit të Serbisë nga kjo ide dhe iniciativë e mëhershme dhe pranimi i tendencave të vazhdueshme të Edi Ramës, se është ai që flet e merr vendime në emër edhe të Kosovës, e bënë Albinin një vasal ende pa filluar punën.
Për bashkim kombëtar flasim e bëjmë pas njohjes së Kosovës shtet i pavarur nga ana e Serbisë edhe nga të tjerët që ende nuk na kanë njohur.
Albini, si kryetar i LVV mund të takohet me kë të dojë dhe të shpërfaqë gjithë idetë e qëndrimet e tij politike. Si pretendent kryeministër i Kosovës, në këtë rast por edhe në raste tjera secili zyrtarë i lartë shtetëror bartë përgjegjësi për politika shtetërore.
Sa për kujtesë: Ramush Haradinaj u bë kryeministër i Kosovës nga koalicioni PAN duke qenë kundërshtar i madh i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Puna e parë që bëri si kryeministër ishte miratimi i kësaj marrëveshjeje!
Projektet dhe punët e dëmshme për vendin nuk janë të tilla për shkak të emrave që i bartin ato projekte por për shkak të përmbajtjes së dëmshme që kanë për interesat e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.
#MT”, ka shkruar Tërmkolli. /Telegrafi/