Telegrafi

Tërmkolli flet për takimin në Bruksel: Katër pikat e paraqitura nga Kurti, esenciale për marrëveshje gjithëpërfshirëse

Ish-deputetja nga radhët e LDK-së, Melihate Tërmkolli ka thënë se katër pikat e paraqitura dje nga pala kosovare në takimin e mbajtur në Bruksel janë esenciale për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës e Serbisë.

Në një prononcim për Telegrafin, Tërmkolli ka deklaruar se e meta e këtij takimi ishte mungesa e përfaqësuesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë takim.

Ajo u shpreh se performanca e djeshme e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Bruksel, ë bën atë kryeministrin me përfaqësimin më dinjitoz të shtetit të Kosovës në dialog deri më tani.

“Çështjet e paraqitura nga Kryeministri Kurti dhe performanca e treguar dje e bëjnë atë Kryeministrin me përfaqësimin më dinjitoz të shtetit tonë deri tani, që nga 2011-ta. E meta, jo e vogël e këtij takimi ishte mungesa e përfaqësuesit të SHBA-së për çka Kryeministri duhet të insistojë dhe të sigurohet pjesëmarrja dhe roli aktiv i SHBA-së pa të cilët është e ditur se nuk mund të ketë marrëveshje e aq më pak marrëveshje të qëndrueshme”, tha Tërmkolli.

Lexo po ashtu Katër propozimet që Kurti paraqiti në Bruksel gjatë takimit me Vuçiqin

Ish-deputetja e LDK-së u shpreh se “katër pikat janë komponente që përmbushin tërësinë dhe kompaktësinë për çështjen kryesore, njohjen reciproke mes dy shteteve. Katër pikat janë esenciale për një marrëveshje gjithpërfshirëse që mendohet të arrihet”.

Sipas saj është mirë që bisedimet vazhdojnë pavarësisht nëse ky konsiderohet proces i ri, apo koncept i ri.

Ajo u shpreh se nuk pret që të ketë një marrëveshje të shpejt me Serbinë dhe siç tha ajo “është me rëndësi të dihet se nuk na duhet një marrëveshje çfarëdo”.

“Nuk pritet që nga takimi i parë të ketë një marrëveshje. Është mirë që bisedimet po vazhdojnë pavarësisht a konsiderohet proces i ri apo koncept i ri. Ishte një takim me “rezultate” të pritshme. Nuk besoj të ketë marrëveshje të shpejtë me Serbinë pa një detyrim të madh që mund të bënte në veçanti SHBA-ja. Por është me rëndësi të dihet se nuk na duhet një marrëveshje çfarëdo”, tha Tërmkolli, për Telegrafin.

Ajo theksoi se “Nuk na duhet një marrëveshje me të cilën do të cenoheshin interesat tona. Në anën tjetër Serbia po vazhdon me destruktivitetin e saj dhe pretendimet e agresionet e saj të pandalshme kundër Kosovës. Ka shumë punë për të arrit një marrëveshje të mirëfilltë”. /Telegrafi/