Telegrafi

Tërmeti më i fuqishëm në histori kishte goditur Kilin, fuqia e tij shkatërruese ishte prej 9.5 magnitudë – aty mbetën 2 milionë qytetarë pa shtëpi

Tërmetet janë fenomene të paparashikueshme edhe pse agjenci të ndryshme shtetërore tentojnë që me pajisje të avancuara të përcjellin aktivitetet sizmike, por deri më sot nuk janë treguar edhe aq të sakta.

Në anën tjetër ekspertë nga fusha të ndryshme pretendojnë se janë disa kafshë që mund të parashikojnë tërmet siç janë gjarpërinjtë, qentë, macet, elefantët, dhitë e bletë që bëjnë sjellje të çuditshme pak momente para se të fillojnë lëkundjet, transmeton Telegrafi.

Megjithatë bazuar në studimet e realizuara këto pretendime nuk pranohen, edhe pse shumë vende të botës vazhdojnë t’i besojnë një versioni të tillë siç është Kina dhe vende tjera në Azi, që thonë se ishin pikërisht kafshët ato që u ndihmuan të kuptojnë se pritet të ketë tërmet duke evakuuar banorët nga objektet e larta.

Madje thonë se reagimi i shpejtë ka bërë që numri i viktimave të jetë shumë më i vogël, kështu kjo metodë edhe sot praktikohet ku sa herë që vërejnë sjellje të çuditshme të kafshëve, autoritetet kompetente reagojnë për t’i nxjerr jashtë qytetarët nga objektet. Por, tërmeti më i fuqishëm në histori të njerëzimit është regjistruar në Kili, që ishte prej 9.5 magnitudë dhe kishte marrë emrin “tërmetit Valdivia”.

Ai ndodhi më 22 maj të vitit 1960 dhe si pasojë shkaktoi cunami vdekjeprurës në det, ku më shumë se 2 milionë banorë mbeten pa kulm mbi kokë, u lënduan 3 mijë dhe afro 6 mijë tjerë humbën jetën. Sikur kjo të mos mjaftonte, dëmet materiale ishin aq të larta sa që mediat lokale raportojnë se bëhej fjalë për dhjetëra miliarda dollarë. /Telegrafi/