Telegrafi

Tërmetet në Kaliforni shkaktojnë dëm prej rreth 100 milionë dollarë

Guvernatori i Shtetit të Kalifornisë në SHBA, Gavin Newsom, tha se dy tërmetet e mëdha që kanë ndodhur në jug të shtetit duhet të shihen si një paralajmërim serioz në aspektin e përgatitjes së ndonjë fatkeqësie.

Ai vlerësoi zhvillimet për gazetarët pas tërmeteve që ndodhën ditën e enjte dhe të premte në qytezën Ridgecrest të Kalifornisë.

“Dy tërmetet që ndodhën një pas një, përveç të gjithë Kalifornisë duhet të shihen edhe për të gjithë vendin si një paralajmërim për t’u zgjuar”, tha ai, duke treguar se qeveritë duhet të marrin masat e nevojshme si dhe qytetarët duhet të jenë të informuar se si do të mbrojnë veten.

Newsom duke treguar se në tërmet nuk ka pasur viktima ose të plagosur, tha se dëmi material ka qenë rreth 100 milionë dollarë dhe se ka marrë premtim nga presidenti Donald Trump, për mbështetje nga buxheti federal për të mbuluar dëmet e shkaktuara nga tërmeti.

Lexo po ashtu Një tjetër tërmet më i fuqishëm dridh Kaliforninë e Jugut

Të enjten dhe premten në Kaliforni kishin ndodhur dy tërmete me magnitudë prej 6.4 dhe 7.1 ballë me epiqendër në afërsi të Ridgecrest. /Telegrafi/