Site icon Telegrafi

Tërhiqet kandidati për kryetar të PD-së: Kaluam nga “Lul Brava” te “Doktor Dryni”

Foto: Arkiv

Anëtari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Edvin Kulluri, i cili muaj më parë kishte bërë të ditur se do të kandidonte për kryetar të PD-së, në një status në Facebook njofton se nuk do të marrë pjesë në këtë proces.

Ai ka renditur gjashtë pika që pas tij e kanë detyruar të ndërmarrë këtë vendim, duke theksuar se demokratët kaluan nga “Lul Brava” te “Doktor Dryni”.

“Meqenëse para disa muajsh shpalla vullnetin per te kandiduar per Kryetar te PDSH, konstatoj se: 1) Komisioni Zgjedhor është anti-statutor; 2) afati për “primare” prej 2 javësh është i njëjti me afatin e vendosur nga Lul Brava qershorin e kaluar, duke mos u lënë kohe kandidateve për të bërë fushatë; 3) në këtë Komision ka anëtar të njëjtë nga ata që vodhën vota për Lul Bravën duke e bërë këtë proces po aq të pabesueshëm; 4) nuk ka sërish asnjë transparencë për listat e anëtarësisë së PDSH; 5) kandidatet nuk janë pyetur për përbërjen e Komisionit, sipas parimit të shokut Stalin “populli voton, votat i numërojmë ne”; 6) zgjedhjet po mbahen ndërkohe që PD është e përçarë me keq se 1 vit me parë!”, ka thënë Kulluri.

Lexo po ashtu Berisha konfirmon kandidaturën për kreun e PD-së: Nuk kam rivalë

Ai ka theksuar se “e vetmja gjë që ndryshon nga zgjedhjet e vjedhura në 13 qershor me keto të 22 majit është se po kalojmë nga “Lul Brava” tek “Doktor Dryni”!

“Fatkeqësisht PD dhe demokratet po tallen dhe nëpërkëmben po njësoj prej të paktën 5 vitesh duke i privuar nga debati i lirë, vota e lirë dhe përfaqësimi!”, ka shtuar Kulluri.

“Për këto arsye, vendosa të mos bëhem pjesë e kësaj farse të shëmtuar zgjedhore duke u tërhequr nga kandidimi per Kryetar te PDSH me keqardhjen e dikujt që lufton prej 5 vitesh për demokratizim real të PDSH dhe jo uzurpim të karriges së Kryetarit dhe strukturave lokale dhe qendrore!”, është shprehur Kulluri.

“I uroj Komisionit Zgjedhor dhe Kryetarit te vetë-emëruar “suksese në jetë” dhe demokratëve durim dhe besim tek rivendosja e demokracisë në Partinë Demokratike!”, shkruan Kulluri. /Telegrafi/

Exit mobile version