Telegrafi

Projektligji për tërheqjen e kursimeve nga Trusti, çfarë thanë deputetët e LVV-së pak para seancës

Projektligji i cili mundëson tërheqjen e një pjese të kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti) sot do të jetë në shqyrtim në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Mirëpo, para se ky projektligj të futet në shqyrtim Telegrafi ka marrë disa nga qëndrimet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV) nëse do ta votojnë apo jo.

Deputetja e LVV, Mirlinda Tishukaj Sadiku në pyetjen e Telegrafit se a do ta votojë këtë projektligj kategorikisht tha që nuk do ta votojë.

Ndërkaq, Telegrafi po ashtu e ka pyetur se sa e ka rrogën dhe se a e dinë se çka është inflacioni, ajo tha: “Jo, jo. Çka ka lidhje ajo me trust. Qysh çka është inflacioni. E kemi pakon ekonomike. Besoj që i ka prekur 800 mijë qytetarë”.

Deputeti i LVV-së, Valon Ramadani u shpreh se gjatë seancës do të shihet nëse do ta votojnë.

Ndërsa, deputeti Arbër Rexhaj ka thënë se qëndrimi i Grupit Parlamentar të LVV-së është që të mos votohet trusti për arsye siç tha ai “i dedikohet pleqërisë”.

“Meqenëse një pjesë të trustit padrejtësisht e kanë marr dhe është votuar të themi në të kaluarën. Ne dëshirojmë që të kemi trust dhe ta ruajmë atë, sepse më pastaj na duhen vite të tëra të rimblidhet”, ka thënë Rexhaj.

Lexo po ashtu Tërheqja e një përqindjeje të kursimeve nga Trusti sot në rend dite në Kuvend

Por sa është ky qëndrim i LVV-së i drejtë, ai u shpreh “mendoj që është i drejtë, se normalisht unë kam pasur kërkesa të tillë. Nga masa qytetarët në përgjithësi”.

Ndërsa, deputetja Adriana Matoshi për Telegrafin ka thënë se nuk e ka idenë se cilat janë pikat e rendit të ditës, pasi siç tha ajo sot është kthyer nga xhirimet në Greqi.

“Ta këqyri çka ka njëherë në pikat e rendit të ditës, se sot kam ardhur nga Greqi. Isha për xhirime”, ka thënë Matoshi.

E, deputeti Adnan Rrustemi i pyetur se a do të votojë trustin nuk dha asnjë përgjigje, njëjtë veproi edhe deputetja Fatmire Kollçaku.

Deputeti i LVV-së, Visar Korenica u shpreh se do të marrë pjesë në votim, duke mos treguar nëse do të votojë pro, kundër apo do të abstenoj.

Telegrafi po ashtu intervistoi edhe deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu i cili kishte në krah peticionet e qytetarëve pro tërheqjes së një pjese të kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti), Bekim Haxhiu.

Ai tha se ka fol me shumicën e deputetëve dhe se siç theksoi ai i mbetet deputetëve që ta japin konfirmimin me votën e tyre.

“Kam fol me shumicën e deputetëve, këto që po i shini janë kopjet e nënshkrimeve të deputetëve, 21.398 qytetarë. Nëse vlen thënia që populli duhet të pyetet për çdo gjë, populli e ka dhënë verdiktin sa i përket projektligjit për Trustin. Dhe atë tash duhet ta konfirmojnë deputetët”, ka thënë Haxhiu. /Telegrafi/