Ikona prej ari, ‘Oscar’, është projektuar në letër nga Cedric Gibbons, ndërsa është transformuar në një skulpturë nga artisti George Stanley.
Austin Cedric Gibbons ka qenë një dizajner dhe planifikues produksioni me origjinë nga Irlanda, i cili kishte ndikim të madh në Hollywood. Duke qenë djali i një arkitekti, besohet se ai ka qenë i vetmi projektues në Hollywood që udhëtoi në Paris në vitin 1925 për të vizituar format e ndryshme të artit që gjendeshin atje.
Ai e dizajnoi statujën ‘Oscar’ në vitin 1928, ndërsa duke qenë ndër më të mirët në produksion dizajni, ishte nominuar plot 38 herë në këtë kategori, ndërsa e ka fituar 11 herë çmimin Oscar.
Gruaja e tij, aktorja meksikane Dolores del Rio, kishte dhënë një deklaratë mjaft interesante, duke pohuar se shoku i saj, Emilio Fernandez, një asistent në Hollywood, kishte pozuar nudo për artistin George Stanley që i kishte shërbyer si model për statujën.
Megjithatë, duke qenë se historia e Emilio Fernandez nuk është konfirmuar, emri ‘Oscar’ mbetet akoma një mister. Porse, pohimi i gruas së Gibbons i ka shtuar paksa ekzotizëm historisë së statujës së famshme.
Zyrtarisht, statuja quhet Çmimi Akademik i Meritës, por të gjithë në Hollywood e njohin si Oscar që nga viti 1934. Vetë Akademia iu përshtat këtij emri në vitin 1939.
Një tjetër teori për emrin e statujës, është se kur ish-drejtoresha e Akademisë, Margaret Herrick, e pa për herë të parë atë, kishte thënë se ngjante si xhaxhai i saj, i cili e kishte emrin Oscar.
Njëherësh, ka pasur edhe pretendime të tjera për emrin në atë kohë, përfshirë atë se Bette David e pagëzoi me emrin e bashkëshortit të saj të parë, Harmon Oscar Nelson. /Telegrafi/