Telegrafi

Tentuan t’i afrohen Ramës te QSUT, shoqërohen në polici disa të rinj aktivistë

Pas takimit të Edi Ramës me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, disa të rinj aktivistë kanë tentuar t’i afrohen kryeministrit, por që janë ndaluar nga Policia.

Reagimi i tyre vjen pas skandalit të Onkologjikut, ndërkohë që të rinjtë kishin marrë një boks dhe kishin vendosur aty fjalën e kryeministrit të vitit 2013, teksa fliste për shëndetësinë falas.

Një tjetër aktiviste tentoi t’i afrohej Ramës për t’i dhënë një broshurë për protestën e ditës së sotme përpara Ministrisë së Shëndetësisë në orën 19:00.

Ndërkaq Qëndresa qytetare ka reaguar duke kërkuar “lirimin sa më parë të aktivistëve dhe vlerësojmë se kjo masë e policisë është më shumë se e tepërt. Të rinjtë janë dërguar forcërisht tek Komisariati nr. 4 në Tiranë”.

“Ne kemi dënuar manualin e Bandës Onkologjikut dhe në komisariat duhet të shoqërohen ata mjekë që aplikojnë manualin në çdo repart të QSUT dhe jo të rinjtë që protestojnë kundër Bursës së vdekjeve në QSUT”, shprehet Qëndresa Qytetare. /Telegrafi/