Sot në mënyrë të koordinuar policia në mbarë Evropën, ka arrestuar tetë persona lidhur me tentim plaçkitjen e argjendarisë në Venedik gjatë vitit 2017.
Tetë të dyshuarit u arrestuan në Austri, Estoni dhe Finlandë dhe i përkasin bandës nga Estonia, që është e specializuar në plaçkitjen e argjendarive luksoze evropiane, transmeton Telegrafi.
Në mars të vitit 2017, anëtarët e bandës kishin aktivizuar bomba tymi në sheshin Shën Marku në Venedik, duke tentuar të tërheqin vëmendjen e opinionit dhe policisë, para se të tentojnë të futen në argjendari.
Por plaçkitja mbeti vetëm një tentim pasi një turist alarmoi patrullën më të afërt të policisë, duke detyruar plaçkitësit e armatosur të arratisen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Në pamjet e publikuara nga policia italiane shihen të dyshuarit duke vendosur bomba tymi në sheshin Shën Marku dhe turistët e kapluar nga paniku duke ikur nga vendi i ngjarjes, pasi një re tymi filloi të zgjerohet.
Edhe një bombë e tillë është vendosur në një rrugë tjetër, kurse në Austri dhe në Korzica janë vjedhure stoli në vlerë miliona euro.
Lajmi për arrestimin e tyre është bërë i ditur sot, pas një hetimi të gjatë që e ka koordinuar Europoli. Policia thotë se anëtarët e bandës janë përgjegjës për tri plaçkitje të ngjashme në Korzika dhe Austri gjatë periudhës 2016-2017. Vlera e stolive të vjedhura kap shumën e miliona eurove.
E në mesin e të arrestuarve është edhe kreu i bandës që fshihej në Finlandë. E agjencia italiane AGI raporton se ai tashmë është dënuar për plaçkitje dhe vrasje. /Telegrafi/