Dy persona janë arrestuar pasditen e së mërkurës në fshatin Bresalc të Komunës së Gjilanit, pasi dyshohet se kanë transportuar në mënyrë ilegale injeksione kundër trashjes së gjakut.
Përmes raportit ditor, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të dyshuarit janë arrestuar në dy raste të ndryshme, njëri prej të cilëve është i mitur.
Sipas informacioneve të para, injeksionet dyshohen të jenë transportuar ilegalisht nga Maqedonia e Veriut për në Kosovë.
Detaje nga raporti i PK-së:
Fsh. Bresalc, Gjilan 17.02.2021 – 19:00. Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar pasi i njëjti është ndaluar me automjetin e tij me të cilin ishte duke transportuar në mënyrë ilegale barna injeksione kundër trashjes së gjakut dyshohet nga Maqedonia e veriut. Në këtë rast dyshohet të jetë i përfshirë edhe një mashkull tjeter. Malli është konfiskuar dhe dërguar në terminalin doganor dhe me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Fsh. Bresalc, Gjilan 17.02.2021 – 19:00. Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar i mitur pasi i njëjti është ndaluar me automjetin e tij me të cilin ishte duke transportuar në mënyrë ilegale barna injeksione kundër trashjes së gjakut dyshohet nga Maqedonia e veriut. Në këtë rast dyshohet të jetë i përfshirë edhe një mashkull tjeter. Malli dhe automjeti është konfiskuar dhe dërguar në terminalin doganor dhe me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 24 orë. /Telegrafi/