Telegrafi

Tenton t’i ikë policisë amerikane, e qëllojnë për vdekje – publikohen pamjet rrëqethëse

Pamjet e kamerave të sigurisë në një pronë private në Kaliforni, kanë kapur momentin kur policët qëllojnë për vdekje një 16-vjeçar të paarmatosur derisa po mundohej të ikte nga ata.

Videoja shfaq policët e Fresnos duke qëlluar për vdekje të dyshuarin Isiah Murrietta-Golding, pasi ai nuk ishte ndalur kur e kishin urdhëruar ta bëjë një gjë të tillë, transmeton Telegrafi.

Kamerat e pronës private tregojnë se si policët e qëllojnë në kokë nga pas, derisa ai po mundohej të ikte prej tyre pasi kërceu rrethojat mbrojtëse. Ai është vrarë në prill të vitit 2017, ndërsa videoja është publikuar këtë javë.

Pas hetimeve të kryera është arsyetuar forca vdekjeprurëse e policisë, pasi sipas hetuesve ata kishin menduar se ai po vrapon për ta marrë një armë, por babai i të ndjerit pas publikimit të videos thotë se pamjet tregojnë plotësisht të kundërtën.

Murrietta-Golding asokohe po kërkohej nga policia lidhur me një vrasje derisa ishte brenda veturës me vëllanë dhe u ndalën nga policia. Ata donin që ta shoqëronin në stacionin e policisë, por ai pa u menduar dy herë filloi të ikë.

Duke e ndjekur e urdhëruan disa herë që të ndalet siç edhe mund të shihet në video, por njëri nga dy policët nxjerr revolen nga brezi dhe e qëllon me një plumb që ishte fatal për të riun.

E sipas policit që ka shkrepur plumbin, i ndjeri vazhdimisht mbante dorën në brez, duke e bërë të besoj se do të nxjerr revolen. /Telegrafi/