Tetë muaj pasi në bashkëpunim me dy persona të tjerë tentoi të vriste 54-vjeçarin Agron Puka në fshatin Rrilë të Lezhës, policia ka vënë në pranga 31-vjeçarin Amarildo Ndreca (Kola).
I riu që akuzohet për tentativë vrasjeje është arrestuar në ambientet e një lokali dhe në momentin e ndalimit iu gjet një pistoletë më municion luftarak dhe një sasi kokaine, shkruan A2.
“Në kuadër të operacionit “Double Trouble”, forcat e posaçme Operacionale dhe “Shqiponja”, si dhe Seksioni kundër Krimeve ndaj Personit, të DVP Lezhë, në një lokal në Laç, kanë vënë në pranga shtetasi A. N. alias A. K., 31 vjeç. Ky shtetas akuzohet se në bashkëpunim me shtetasit K. N. dhe V. T., ka tentuar të vrasë me armë zjarri, në fshatin Rrilë, më datë 06.03.2024, shtetasin A. P.”, njoftojnë forcat e rendit.
Ngjarja për të cilën akuzohet Puka ndodhi më 6 mars të këtij viti. Agron Puka u plagos pasi persona të armatosur qhapën breshëri zjarri në drejtim të tij, pak pasi ai kishte lënë fëmijët në shkollë. 54-vjeçari pranoi më pas në deklaratën e tij në polici se edhe ai kishte qëlluar për vetëmbrojtje, pasi tre persona i kishin zënë pritë.
Tre autorët e atentatit të mbetur në tentativë u identifikuan më pas si Vincens Tuku, Amarildo Kola dhe Kevin Ndoka. Agron Puka u arrestua nga policia pasi mbante një armë zjarri pa leje dhe u la në burg për 5 muaj, e më pas për të u vendos masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Për Ndrecën sakaq, gjykata e Lezhës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Policia ka proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas që shoqëronin 31-vjeçarin, për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe/ose përkrahje të autorit të krimit, raporton A2.
“Nga kontrolli fizik i kryer në momentin e ndalimit, 31-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, ndërsa gjatë kontrollit në lokalin ku u kap ai, u gjet një pjatë me mbetje të dyshuara të lëndës narkotike kokainë. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 6 shtetasit që shoqëronin në lokal, shtetasin A. N. alias A. K., konkretisht për shtetasin P. J., 28 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe për shtetasit M. Ll., 50 vjeç, A. Gj., 23 vjeç, B. Gj., 36 vjeç, A. N. alias A. K., 45 vjeç dhe N. B., 34 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit’”, sqaron policia.
Uniformat Blu kanë sekuestruar armën e zjarrit që Ndreca posedonte, krehrin e saj me 15 fishekë, 2 automjete, 2 celularë dhe një shumë parash.