Telegrafi

Tentoi të ikte nga policia i armatosur, arrestohet 19-vjeçari në Shqipëri

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka finalizuar operacionin policor i koduar “Lokalizimi”.

Policia ka arrestuar një 19-vjeçar, ku edhe i ka konfiskuar një armë dhe municion.

“Qarkullonte i armatosur dhe tentoni t’iu largohej shërbimeve të Policisë, pas ndjekjes dhe ndërhyrjes profesionale, kapet dhe vihet në pranga 19-vjeçari i kërkuar për krime kundër personit dhe armëmbajtje pa leje. Në momentin e kapjes, Policia i gjeti 19-vjeçarit, një armë zjarri pistoletë me mulli dhe municion luftarak”, vijon njoftimi.

Tutje, në njoftim thuhet se falë ndjekjes dhe ndërhyrjes profesionale, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasin P. N., 19 vjeç, banues në Mamurras.

“Në momentin e kapjes së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën në automjetin e tij, 1 armë zjarri pistoletë me mulli dhe municion luftarak, që i posedonte 19-vjeçari”.

Shtetasi P. N. ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Më datë 25.03.2023, në Kurbin, shtetasi P. N. dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasve K. N dhe E. N.

Në vijim të veprimeve procedurale janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit, municioni luftarak, automjeti me të cilin lëvizte ky shtetas dhe një celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme./Telegrafi/