Pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës, ku serbët lokal tash e pesë ditë resht po mbajnë të bllokuara rrugët që shpien te pikat kufitare me Serbinë dhe fluturimit të helikopterëve të ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën, ka reaguar NATO.
Zëdhënësja e Aleancës Veriatlantike, Oana Lungescu, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se NATO u bënë thirrje palëve që menjëherë t’i ulin tensionet dhe t’i kthehen dialogut.
“NATO bën thirrje për shtensionim të menjëhershëm në veri të Kosovës. U bëjmë thirrje Beogradit e Prishtinës të përmbahen, të shmangin veprimet e njëanshme e të kthehen në dialog. Mandati i KFOR-it mbetet për të garantuar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet”, ka thënë zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, transmeton Telegrafi.
#NATO calls for immediate de-escalation in the north of #Kosovo. We urge both Belgrade & Pristina to exercise restraint, avoid unilateral actions & return to dialogue. @NATO_KFOR’s mandate remains to ensure a safe & secure environment & freedom of movement for all communities.
— NATO Spokesperson Farah Dakhlallah (@NATOpress) September 24, 2021
Ndryshe, tre helikopterë të ushtrisë serbe, janë shfaqur në orët e pasdites së sotme në territorin e Serbisë, afër pikave kufitare me Kosovën.
Të njëjtit kanë qenë në qiell për disa minuta dhe kanë monitoruar situatën në pikat kufitare në Bërnjak e Jarinë.
Dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri të Kosovës, po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara tash e pesë ditë, pasi serbët lokalë kundërshtojnë vendimin e autoriteteve të Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës veturat me targa serbe obligohen të vendosin targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vjet.
Në vendkalimet kufitare është vendosur edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/