Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov gjatë një takimi me disa student në Volgograd ka deklaruar se Kisha Ortodokse Serbe është nën presionin e vendeve perëndimore.
Sipas Lavrovit, ky presion po bëhet për ta ndarë Ortodoksinë Botërore.
“Kisha Ortodokse Serbe, së bashku me disa kisha të tjera ruse, aktualisht është nën presionin e një numri shtetesh perëndimore, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë vendosur të ndajnë Ortodoksinë Botërore”, citohet të ketë thënë Lavrov.
Po ashtu, ai thekson, se përpjekje të tilla ka edhe në vende të ndryshme.
“Përpjekje të tilla tani po vërehen edhe me Bjellorusinë ashtu edhe me vendet e Mesdheut, në veçanti Sirinë, Libanin dhe Ballkanin, ku Kisha Ortodokse Serbe po sulmohet fuqishëm”, tha ai, shkruajnë mediet ruse.
Për ish-profesorin dhe gazetarin, Agim Zogaj deklarata e Lavrovit është për konsum politik për ta alarmuar komunitetin ortodoks.
“Deklarata e Sergei Lavrovit, në plan të parë është për konsum politik, për ta alarmuar komunitetin ortodoks, gjoja se, SHBA po zhvillon politikën përçarëse brenda Kishës Ortodokse Ruse, gjë që, nuk është e vërtetë. E ritheksoj, deklarata e Lavrovit është qartësisht, deklaratë politike, për të krijuar huti, ngarkesë, tensione në marrëdhëniet amerikano-ruse, sidomos, pas zhvillimeve në Afganistan. Politikan ruse e ka në traditë, që, politikën e Kishës Ortodokse Ruse, ta instrumentalizojë për objektiva të caktuara shtetërore”, thotë Zogaj për KosovaPress.
Zogaj tregon se Kisha Ortodokse Ruse, së bashku me atë serbe e kanë përkrahur politikën pushtuese të Serbisë karshi Kosovës.
“Kisha Ortodokse Serbe, sidomos nga vitet e 80-ta ka bashkëpunim intensiv me Kishën Ortodokse Ruse. Prandaj, Kisha Ortodokse Ruse, së bashke me Kishën Ortodokse Serbe e kanë përkrahur politikën pushtuese të Serbisë, sidomos kundrejt Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës”, tregon ai.
Profesori Zogaj tregon se ka pasur raste kur politika shtetërore e Rusisë nuk e ka përkrahur Serbinë.
“Duhet theksuar faktin se, ka jo pak raste në historinë e marrëdhënieve ruso-serbe, kur politika shtetërore e Rusisë nuk e ka përkrahur Serbinë, thënë më qartë, kur ka pasur mosmarrëveshje midis Kishës Ortodokse Ruse dhe Kishës Ortodokse Serbe. Rusia, po aq sa edhe Serbia, në zhvillime të caktuara të politikave ndërkombëtare, edhe përmes prijësve të tyre fetarë, i kanë mbrojtur interesat e shteteve përkatëse”, përfundon Zogaj.
Kujtojmë se, mediet në Mal të Zi kanë thënë se Serbia me anë të regjistrimit të popullsisë, ka tendencë që ta rrisin numrin e banorëve serb, ku pastaj të nis komploti ndaj vendit dhe për ta vënë në diskutim rezultatin e referendumit të pavarësisë së Malit të Zi. /KP/