Site icon Telegrafi

Tensione midis ushtrisë ruse dhe mercenarëve të Wagnerit

Lufta është pak më shumë se një muaj larg para se të hyjë në vitin e dytë që kur Vladimir Putin njoftoi një “operacion special ushtarak” në Ukrainë, më 24 shkurt të vitit të kaluar, një mënyrë tjetër për të thënë se po pushtonte vendin fqinj. Por, lufta nuk ka dalë siç priste Rusia. Mbrojtja e Ukrainës, e ndihmuar me mjete të shumta ushtarake të dërguara nga vendet e NATO-s ka pasur efekt duke parë kundërsulmet e njëpasnjëshme të ukrainasve.

Sikur të mos mjaftonte kjo, problemet e brendshme të Rusisë po rriten. E fundit prej tyre është tensioni ekzistues dhe në rritje midis grupit paramilitar ushtarak rus, Wagner dhe vetë ushtrisë ruse. Dallimet mes të dyjave janë bërë edhe më të dukshme orëve të fundit për shkak të betejave që po zhvillohen në qytetin ukrainas Soledar, raportojnë mediat.

Themeluesi i Grupit Wagner, Yevgueni Prigozhin, denoncoi këtë të premte se brenda Rusisë po përpiqen t’ia vjedhin fitoret që po arrin në fushën e betejës. “Ata vazhdimisht përpiqen të vjedhin fitoren nga mercenarët e Wagnerit dhe flasin për praninë e dikujt, vetëm për të nënvlerësuar meritat tona”, tha Prigozhin pasi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk ia njohu meritat në asnjë moment organizatës ushtarake.

Disa orë më vonë, Kremlini pranoi se njësitë i Wagnerit kishte korrur sukses në Soledar, të cilin Ukraina vazhdon ta mohojë. “Lidhur me sulmin në zonën urbane të Soledarit, të pushtuar nga ushtria ukrainase. Ai mision u krye në mënyrë të guximshme dhe vetëmohuese me veprimet e vullnetarëve të njësive sulmuese të kompanisë private ushtarake Wagner”, thuhet në njoftimin e ri të Ministrisë së Mbrojtjes.

Por përtej kësaj, plaga ekziston dhe po thellohet. Në Moskë, atyre nuk u pëlqen roli në rritje që po merr grupi i mercenarëve në Ukrainë, duke e bërë atë gjithnjë e më të pakëndshme për Kremlinin.

Për muaj të tërë, Prigozhin, kreu i Grupit Wagner, dhe Ministria e Mbrojtjes kanë pasur mosmarrëveshje. Nga ana e grupit të mercenarëve kritikohet ecuria e fushatës ushtarake ruse në Ukrainë.

Madje, disa herë ata kanë vënë në dukje se po të mos ishin ndërhyrjet dhe veprimet e tyre në Ukrainë, marshimi rus në shtetin fqinj do të kishte pësuar edhe më shumë pengesa se sa ka pësuar gjatë këtyre muajve të luftës.

Ky tensionim mes dyja palëve shpjegon ndryshimin e ri të nxitur nga Kremlini në ushtrinë e saj. Këtë javë, gjenerali Sergei Surovikin është zëvendësuar nga Valery Gerasimovi, i cili deri në njoftimin e arhshëm do të udhëheqë trupat që luftojnë në Ukrainë.

Rusia kërkon një ndryshim kursi në luftë duke emëruar një gjeneral nga rrethi më i ngushtë i Putinit, por në fund të vendimit duket gjithashtu një përpjekje për të rifituar peshë në vend përpara Grupit Wagner. /Telegrafi/

Exit mobile version