Site icon Telegrafi

Telenovela e parë shqiptare “Njerëz dhe Fate” drejt rikthimit? Flet aktori Alfred Trebicka: Kam besim që do të rikthehet sivjet

Foto: Ridvan Slivova. Foto-kolazh: Endrit Dallaveraj/Telegrafi

“Njerëz dhe Fate” është telenovela e parë shqiptare, prodhim i Radio Televisionit Shqiptar.

Ajo kishte ngërthyer para ekranit në vitet 2000 shqiptarët e të gjitha trevave, për historinë që trajtonte dhe aktrimin perfekt të një kasti të përzgjedhur aktorësh.

Historia e cila në qendër kishte një familje të zakonshme shqiptare, me një djalë problematik të quajtur Flori, që gjendet vazhdimisht mes sherreve dhe probleme të familjes, dhe dy motrave të tij: Erës, që është në kërkim të fatit të jetës dhe e rrezikuar nga fenomenet e kohës, dhe Lolës – vajzës së madhe të familjes e cila gjendet mes pikëpyetjeve të mëdha dhe frikës së infektimit me HIV/AIDS.

https://youtu.be/3vEHGcQuLTM

Kjo histori shqiptare e paraqitur mjeshtërisht në një serial u ndërpre pas dy sezoneve (për shkak të mungesës së fondeve në atë kohë), ndonëse regjisori Ylli Pepo dhe dramaturgu Ruzhdi Pulahu e kishin një ide për vazhdimësinë e tij.

Por kjo ide duket se po merr dritë në vitin 2023, pasi aktori i një prej roleve kryesore në serial, Arben Derhemi, publikoi një fotografi në rrjetet sociale me aktorin e madh Robert Ndrenika. Ai la të kuptohet se bisedimet për rikthimin e serialit kanë filluar, por nuk zbuloi më shumë detaje.

Foto: Arben Derhemi/Instagram

E lidhur me këtë, Telegrafi ka pyetur aktorin Alfred Trebicka, i cili kishte gjithashtu një nga rolet kyçe në “Njerëz dhe Fate”.

Në premierën e filmit më të fundit ku ai është protagonist në Prishtinë, aktori nuk denjoi të prononcohet mbi këtë lajm që ka entuziazmuar fansat e telenovelës së parë shqiptare.

“Unë s’kam të drejtë të zbuloj gjë, por mund të them që po bëhen të gjitha përpjekjet dhe janë të gjitha shanset dhe mundësitë që të rikthehet këtë vit. Detaje më të imëta as unë nuk di. Di domethënë që po punohet shumë fortë për gjetjen e bashkëpunëtorëve, të të gjithë komponentëve, sepse një fjalë goje është që të rikthehet prapë, por do të kthehet në një standard tjetër. Dhe po them me këto veprat që kanë pasur një lloj suksesi në të shkuarën është pak siklet, sepse duhet të jetë më lartë se çka qenë. Unë kam besim që do të rikthehet sivjet”, ka thënë Trebicka për Telegrafin.

Alfred Trebicka (Foto: Ridvan Slivova/Telerafi)

Aktori që luante rolin e dajës në familjen e sfiduar nga problemet e kohës, më tutje ka thënë se e ndjen nostalgjinë e personazhit që portretizonte në serial, të quajtur Betim.

“Sigurisht që kam një nostalgji, sepse 20 vite kthehen në nostalgji – por në rikthim nuk do të jetë më ai i pari. Do të ketë një dimension tjetër. Kaq mund të them domethënë, kaq mund të zbuloj”, ka përfunduar Alfred Trebicka.

Alfred Trebicka (Foto: Ridvan Slivova/Telerafi)

Në “Njerëz dhe Fate” përndryshe luajnë emra të njohur të kinematografisë shqiptare si: Robert Ndrenika i shpallur artist i kombit dhe Pavlina Mani, e shpallur si artiste e merituar.

Arben Derhemi, Eni Jani, Valbona Imami, Alfred Trebicka e Arta Muçaj – janë disa nga aktorët e roleve pasuese që përbëjnë kastin kryesor të “Njerëz dhe Fate”. /Telegrafi/

Exit mobile version