Telegrafi

Telenorit serb i refuzohet aplikimi për 4G në Kosovë

Kërkesa e kompanisë serbe të telefonisë celulare Telenor për të aplikuar për licencën 4G në Kosovë, është refuzuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP).

Më herët ARKEP publikoi një ftesë për operatorët e telefonisë mobile që të aplikonin për t’u pajisur me këtë licencë për marrjen e frekuencave 1800 MHz.

Pas shqyrtimit të kërkesave të paraqitura, ARKEP njoftoi dokumentet e dorëzuara nga operatorët ekzistues të telefonisë së lëvizshme në Kosovë, IPKO Telecommunications dhe PTK, si aplikime nga operatorë të kualifikuar.

Por i njëjti institucion vlerësoi se ofertuesi nga Beogradi, Telenor, nuk i ka përmbushur kriteret për marrje në shfrytëzim të këtyre resurseve.

“Telenor nuk i përmbush kriteret dhe kushtet për marrje në shfrytëzim të resurseve pasi që i njëjti nuk është në posedim të Autorizimit të Përgjithshëm, respektivisht nuk ka kryer dhe respektuar procesin e notifikimit si parakusht ligjor dhe rregullator për aplikim për resurse frekuencore për operime të autorizuara në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e ARKEP-it.

Telenori prezantohet një kompani që është e pranishme në 13 tregje të Europës dhe në Azi, transmeton kallo.com.

Sipas ARKEP-it në vazhdim të procedurës për ndarjen e resurseve shtesë frekuencore do të njoftohen palët e interesuara dhe publiku.

Frekuenca 4G mundëson shpejtësi tepër të lartë të transmetimit të të dhënave, krahasuar me brezin 3G, dhe shumica e vendeve ofrojnë licenca kundrejt tarifave prej dhjetëra milionë euro për licenca të tilla.

Në Kosovë, e cila zyrtarisht vlerësohet nga banka Botërore si vendi më varfër në Europë, këto licenca janë falas.