Ofruesi i shërbimit të internetit të Koresë së Jugut SK Broadband ka paditur platformën Netflix për të paguar kostot e shtuara nga rritja e trafikut të rrjetit dhe për punën e mirëmbajtjes për shkak të një rritje të shikuesve të serialit të krijuar nga firma amerikane, tha një zëdhënës i SK Broadband.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, ky veprim vjen pasi një gjykatë e Seulit tha se Netflix duhet “në mënyrë të arsyeshme”, t’i japë diçka në këmbim ofruesit të shërbimit të internetit për përdorimin e rrjetit derisa ligjvënës të shumtë të Koresë së Jugut janë shprehur kundër ofruesve të përmbajtjeve të caktuara që nuk paguajnë për përdorimin e rrjetit pavarësisht gjenerimit të trafikut shpërthyes.
Netflix ka deklaruar se do të rishikojë pretendimin e telekomit dhe do të kërkojë dialog dhe do të eksplorojë mënyra ndërkohë për të punuar me SK Broadband për t’u siguruar që klientët të mos preken.
Popullariteti i serisë “Squid Game” dhe ofertave të tjera e kanë nënvizuar statusin e Netflix si gjeneratori i dytë më i madh i trafikut të të dhënave në vend pas YouTube të Google, por këto të dyja nuk paguajnë tarifat e përdorimit të rrjetit, derisa Amazon, Apple dhe Facebook po i kryejnë pagesat, tha SK.
Ndryshe, seriali dramë i Koresë së Jugut, “Squid Game” është bërë seriali më i popullarizuar ndonjëherë i Netflix-it, duke tërhequr 111 milionë fansa që nga debutimi i tij më pak se katër javë më parë. /Telegrafi/